Manjani: Për furgonët do të zbatojmë ligjin

01/03/2014 00:00

Pas protestës së automjeteve 8 plus 1 që kulmoi me bllokimin e rrugëve
hyrëse e dalëse në kryeqytet, Ministria e Transporteve shprehet e
vendosur të zbatojë ligjin për transportet, që sipas zëvendësministrit
Ylli Manjani saktëson qartë ndarjen mes shërbimit taksi dhe atij publik.

“Licencën drejtuesit e furgonëve e kanë marrë në çdo komunë apo bashki që kanë aplikuar. Pika 5 thotë ndalohet shërbimi taksi i udhëtarëve në linjë të rregullt, që korrespondon me detyrimen që ka neni 37 i ligjit për transportet. Asnjë kërkesë nuk duket e pranueshmë që të cënojë standardin që iu thashë, taksia të bëjë punën e vet, autobusi të bëjë punën e vet. Të dy, duhet të punojnë në mënyrë të ndershme”, tha Ylli Manjani, zëvendësministër i Transportit dhe Infrastrukturës.

Zëvendësministri Manjani thotë se ministria mund të shohë si alternativë për pronarët e automjeteve 8 plus 1 akomodimin në akset rrugore që nuk mund të përshkohen nga autobusët.

“Kemi hedhur idenë dhe jemi gati ta bëjmë që shërbimi taksi i furgonëve 8+1 mund të shtrihet jo vetëm brenda juridiksionit të Bashkisë, por brenda qarkut”, tha Manjani.

Zëvendësministri Manjani komentoi protestën e një dite më parë, duke e quajtur atë të politizuar.

“Ata mendojnë se Shqipëria duhet të shkatërrohet sipas skenarit grel. Konstatojmë se është e izoluar, nuk ka mbështetjen popullore, sic ishte proklamuar”, tha Manjani.
 

Top Channel