Itali, sekuestrohen 18 tonelata hashash

01/03/2014 00:00

Mbi 18 tonelata hashash janë sekuestruar nga njësitë aero-detare të Guardia di Finanza në Itali, në dy peshkareça të bllokuara të premten, rreth 22 milje nga lokaliteti i Pantellerisë, në jug të vendit.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave 25 anëtarët e ekuipazhit të dy anijeve janë arrestuar.

Dy mjetet lundruese, të papajisura me flamur, janë lokalizuar teksa lundronin në ujërat e Mesdheut perëndimor, thuhet në një komunikatë për shtyp të autoriteteve.

Ato janë mbajtur nën vëzhgim derisa, kur ndodheshin në distancë të shkurtër nga brigjet tokësore, janë arritur dhe marrë nën kontroll nga njësitë aero-detare.

Pasi kanë konstatuar praninë e sasive të mëdha të drogës, autoritetet i kanë shoqëruar anijet në portin e Trapanit dhe pas kontrolleve kanë gjetur në total 700 thasë të rëndë me hashash, i barazvlefshëm me 18.5 tonelata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB