Turqi, kthesë në hetimet për korrupsion

28/02/2014 00:00

Hetimet për korrupsion në Turqi kanë marrë një tjetër kthesë të beftë me lirimin e djemve të dy ish-ministrave të kabinetit të Recep Tajip Erdogan, të cilët do ta presin procesin gjyqësor në gjendje të lirë.

Baris Guler dhe Kaan Caglayan u arrestuan në muajin dhjetor bashkë me një duzine njerëzish të tjerë të dyshuar për mitmarrje në tenderat publikë.

Hetimi e egërsoi asokohe kryeministrin Erdogan që nxitoi t’i përshkruante blicet policore si një “komplot kundër tij”. Për shpagim, shefi i ekzekutivit turk shkarkoi një sërë drejtuesish në radhët e policisë dhe gjyqësorit.

Bashkë me dy të rinjtë është lënë i lirë edhe një biznesmen me origjinë iraniane, Reza Zarrab. I biri i një tjetër ministri që dha dorëheqjen si dy të parët ishte liruar që në dhjetor, pak pas arrestimit.

Policia turke është duke hetuar mbi pretendimet për transferta të paligjshme parash nga Irani dhe mitmarrje lidhur me disa projekte ndërtimi.

Erdogan dhe mbështësit e tij fajësuan ish-aleatin Fetullah Gylen. Por kleriku islamik, që jeton prej vitesh në mërgim në Shtetet e Bashkuara, mohon të ketë komplotuar kundër kryeministrit.

Lëvizja e tij, Hizmet, besohet se ka përkrahës të fuqishëm në radhët e gjyqësorit, si dhe në mjaft institucione të tjera shtetërore turke.

Top Channel