Raporti i DASH, spikat Siria e “horroreve”

28/02/2014 00:00

Një raport global mbi të drejtat e njeriut, i publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, ka veçuar luftën civile të Sirisë si një tragjedi, e cila “qëndron mbi gjithçka, sa i përket fushëveprimit dhe kostove njerëzore të saj”.

Shtetet e Bashkuara rikonfirmuan se sulmi me armë kimike në Siri, që sipas tyre la 1429 viktima, ishte “një nga horroret e shumta” në këtë luftë, që ende vijon edhe sot.

Raporti i përvitshëm i DASH thekson gjithashtu shtimin e mësymjeve ndaj protestuesve në mbarë globin, por edhe ndaj grupeve të shoqërisë civile.

Në raport citohen persekutimet zyrtare të disidentëve në Ukrainë, Venezuelë, Turqi dhe Kinë përgjatë vitit 2013.

Rishikimi, i njohur si Raportet e Shteteve mbi Praktikat e Të drejtave të Njeriut, përfshin edhe akuza ndaj vendeve të tjera, anembanë botës. Por, mbi të gjitha, aty theksohet dënimi më i ashpër për qeverinë e Sirisë, ku më shumë se 140 mijë njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga vendi, që prej Marsit 2011.

Në raport citohet sulmi me armë kimike i 21 Gushtit 2013 në Ghouta, një rajon periferik i Damaskut, si një nga “horroret e shumta të luftës civile, të mbushura me krime të panumërta kundër njerëzimit, që nga tortura dhe vdekja e të burgosurve, deri të shënjestrimi i civilëve me fuçi eksplozivësh dhe raketa ‘Scud’ (tokë-ajër)”.

Në vërejtjet e tij, pas publikimit të raportit ditën e enjte, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dënoi gjithashtu qeverinë e Ukrainës, për ushtrim dhune ndaj protestuesve.

“Në Ukrainë, siç e kemi vënë re të gjithë gjatë ditëve të fundit, dhjetra-mijëra vetë dolën nëpër sheshe, për të demonstruar forcën e popullit për të bërë të mundur pasjen e një qeverie më demokratike dhe më të përgjegjshme e llogaridhënëse, si dhe për t’u bërë qëndresë të fortë snajperave nga tarracat, të cilët shkaktuan shumë viktima, vetëm e vetëm që t’u dëgjohej zëri”, tha Kerry për reporterët.

Kerry e përshkroi Ukrainën si shembull i një kombi, populli i të cilit reagon ashpër kundër korrupsionit dhe detyron qeveritë autoritare të acarohen deri në përdorimin e dhunës. Ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, është arratisur nga kryeqyteti, pas trazirave disa mujorshe.

Raporti kritikon gjithashtu qeverinë e Yanukovych, për zgjedhjet parlamentare, të cilat nuk përmbushën standardet ndërkombëtare për ndershmëri dhe transparencë, për përdorimin e forcave të sigurisë kundër protestuesve, gjatë një demonstrate paqësore më 30 Nëntor, si dhe për goditjen e përgjithshme ndaj mediave të vendit.

Kerry kritikoi gjithashtu qeverinë e Venezuelës, ku sërish mësymja ndaj protestave anti-qeveritare ka lënë të paktën dhjetra viktima.

Raporti  jepte gjithashtu vlerësime të vakta si për ish-presidentin egjiptian, Mohammed Morsi, ashtu dhe për liderin e qeverisë së përkohshme, Marshallit të Forcave Tokësore, Abdul Fattah al-Sisi.

Ndërkohë, nuk u la pa përmendur, këtë herë nga ndihmës-Sekretari i Shtetit, Uzra Zeya, as Irani, sa i përket “përmirësimit të vogël por domethënës” të të drejtave të njeriut, që pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, kur erdhi në pushtet presidenti Hassan Rouhani.

Top Channel