Pentagoni: Raketat e Veriut ranë në det

28/02/2014 00:00

Korea e Veriut lëshoi 4 raketa me rreze të shkurtër veprimi në Detin Lindor, të njohur ndryshe edhe si Deti i Japonisë, njoftoi gjatë së enjtes Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut.

Raketat, të cilat me sa duket nuk janë drejtuar për nga ujrat e Jugut, u lëshuan drejt Rusisë, ranë në det dhe konsiderohen si një problem i papërfillshëm, ka bërë të ditur Pentagoni.

Raketat u lëshuan vetëm pak ditë pas nisjes së praktikave të përbashkëta ushtarake vjetore mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat kundërshtohen nga Korea e Veriut. Ushtrimet e përbashkëta ushtarake kanë nxitur vazhdimisht tensione mes këtyre tri palëve.

Për shembull, ushtrimet e vitit të kaluar shkaktuan javë të tëra tensioni të lartë mes kombeve në fjalë, deri në kërcënimin e Koresë së Veriut për luftë, përfshi incidentin e Majit, kur vendi komunist lëshoi 6 raketa me rreze të shkurtër veprimi.

Praktikat ushtarake mes Jugut dhe SHBA-ve nuk kanë qenë specifike, në lidhje me vendin se ku po i zhvillojnë ushtrimet, teksa mbetet ende e paqartë nëse raketat janë lëshuar në drejtim të ushtimeve në fjalë.

Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut tha se do të japë më shumë detaje në një konferencë për shtyp, në vijim të ditës.

Ekspertët e politikave të jashtme thonë se lëshimi i raketave të Koresë së Veriut nuk mund të paralajmërojnë një veprimtari të vrullshme nga Penjani, si vitin e kaluar, kur u arrit deri te kërcënimet për sulme bërthamore kundër Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, si dhe te pavlefshmëria e deklaratës për armëpushim, e cila i dha fund luftës koreane në vitin 1953.

Top Channel