
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë në Londër se, ata që presin nga Gjermania t’i hapë rrugën kërkesës britanike për reforma të thella në BE do të zhgënjehen.
Ajo tha se një Europë pa kufij ishte një nga arritjet më të mëdha të BE-së, por shtoi se “ajo që do të bëjmë, ose nuk do të bëjmë, në reformimin e formatit politik të Europës do të përcaktojë të ardhmen e saj”.
Në një fjalim historik, drejtuar dy Dhomave të Parlamentit britanik, zonja Merkel nënvizoi se Britania dhe Gjermania kishin një objektiv të përbashkët, pikërisht atë të një BE-je të fortë dhe konkurruese.
David Cameron po përpiqet të bindë zonjën Merkel, që të pranojë nevojën për ndryshime në traktatin e BE-së, që do i lejonin Londrës të riatdhesonte disa nga kompetencat nga Brukseli, përpara një referendumi, që ai ka premtuar të zhvillojë në vitin 2017, për anëtarësimin e mëtejshëm ose jo të Britanisë në Bashkimin Europian.
Duke e nisur fjalimin në anglisht, për të vazhduar në gjermanisht, e duke e përfunduar atë sërish në anglisht, Kancelarja gjermane tha se “reformat në BE duhet të ishin një proces, që duheshin bërë hap pas hapi”.
Kryeministri britanik duket se ka marrëdhënie më të ngrohta me Kancelaren gjermane, se sa me presidentin francez, Francois Hollande.
Merkel do të takohet me udhëheqësin laburist, Miliband, dhe udhëheqësin e Liberal-Demokratëve, Clegg, partner i koalicionit qeverisës, dhe do e mbyllë vizitën e saj njëditore me një çaj me Mbretëreshën, në Pallatin “Buckingham”.
Top Channel