
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka thënë se numri i viktimave që lidhen me protestat anti-qeveritare dyjavore është rritur në 50 të tillë.
Shifrat zyrtare flasin për 13 persona të vrarë gjatë përplasjeve, ndërkohë që Maduro akuzon për dhunën grupet fashiste.
Ai foli përpara një takimi, i cili synon t’i japë fund trazirave, të shkaktuara nga inflacioni i lartë, krimi i shfrenuar dhe mungesa e ushqimit. Por, koalicioni kryesor opozitar refuzon të marrë pjesë, duke e quajtur atë një farsë.
“Nuk do të ulemi në një dialog mashtrimi, që do të përfundojë në tallje për bashkëkombasit tanë”, tha për reporterët zëvendës-presidenti i bllokut, Jorge Arreaza.
Të hënën, Prokurorja e Përgjithshme e Venezuelës, Luisa Ortega, tha se 13 persona kishin vdekur gjatë dhunës së lidhur me protestat. Në atë kohë, grupet e opozitës thoshin se numri i viktimave ishte të paktën 15.
Duke folur përpara një tubimi pro-qeveritar të fermerëve jashtë pallatit presidencial, Maduro tha se “ka mbi 50 të vdekur si pasojë e bllokimit të rrugëve dhe barrikadave të ngritura”.
“Dje, një zonjë 84-vjeçare vdiq në lindje të Karakasit, sepse ngeci nëpër rrugët e bllokuara për 3 orë, teksa ndërroi jetë në makinën e familjes së saj për shkak të një ataku kardiak”, tha ai.
Ai nuk sqaroi më tej arsyet se përse e ka rritur kaq shumë numrin e viktimave. Gjithsesi, kudo në Karakas janë mbledhur me qindra njerëz, kryesisht femra, të udhëhequra nga gruaja e liderit të burgosur të opozitës, Leopoldo Lopez, të cilat protestojnë kundër arrestimit nga qeveria të demonstruesve.
Top Channel