
Linja ajrore “Qantas”, e cila po lufton për mbijetesë, ka njoftuar
shkurtimin e 5 mijë vendeve të punës pasi raportoi një humbje të rëndë
financiare.
Plani i kompanisë australiane të fluturimit parashikon kursimin e 2 miliardë dollarëve në tre vitet e ardhshme. Shkurtimet ishin njoftuar përgjatë publikimit të bilancit të fundit, që vinte në dukje një humbje prej 252 milionë dollarësh në gjashtë muajt e fundit të vitit të kaluar.
Linja ajrore, që parashikon gjithashtu të shkurtojë flotën e saj me mbi 50 avionë, thuhet se po has një konkurrencë të fortë si në operacionet kombëtare ashtu edhe në ato ndërkombëtare.
Shefi ekzekutiv i “Qantas”, Alan Joyce deklaroi se do të diskutojë shkurtimin e vendeve të punës në një takim me sindikatat që do të mbahet ditën e premte.
“Kompania po përballet me disa nga kushtet më të forta që ka parë ndonjëherë dhe i duhet të ndërmarrë veprime të papreçedenta për t’u bërë ballë ndryshimeve në industrinë ajrore të Australisë”, deklaroi Joyce.
“Qantas” është përpjekur të bindë qeverinë australiane se meriton një mbështetje financiare dhe se rregullat që kufizojnë praninë e aksionerëve të huaj deri në kuotën 49 për qind duhet të rishikohen për të inkurajuar investimet nga përtejdeti.
Kompania është në dizavantazh pasi rivali tjetër australian “Virgin Australia” është në pronësi të tre operatorëve të mbështetur nga qeveria, si “Air Neë Zealand”, “Etihad” dhe “Singapore Airlines”.
Top Channel