“Masa ekstreme për rimëkëmbje”

27/02/2014 00:00

Kryeministri i përkohshëm i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, ka paralajmëruar nevojën urgjente për “hapa të papëlqyeshme nga populli”, në mënyrë që vendi të marrë veten nga “pragu i katastrofës”.

Ai tha për BBC se sfida kryesore për qeverinë e re, e cila u prezantua në kampin kryesor të protestuesve në Kiev ditën e mërkurë, është “stabilizimi” i vendit.

Deputetët ukrainas priten të votëbesojnë disa orë më vonë kabinetin e ri qeveritar të vendit.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka paralajmëruar Rusinë se çfarëdo ndërhyrje ushtarake në Ukrainë do të përbënte një “gabim të rëndë”.

Komentet e tij vijnë pak kohë, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi manovra ushtarake për të testuar gatishmërinë e ushtrisë ruse, në rajonet qendrore dhe perëndimore të Rusisë, pranë kufirit me Ukrainën.

Yatsenyuk dhe ministrat e tjerë të rinj të Ukrainës u prezantuan përpara në turme të madhe në sheshin “Pavarësia” të Kievit, apo “Maidan” (sheshi, në gjuhën ruse), mbrëmjen e së mërkurës.

Yatsenyuk, i cili është njëri prej liderëve kryesorë të protestave, u mirëprit me brohoritje. Por, prezantimi i disa prej krerëve të tjerë të ministrive, përfshi ministrin e Brendshëm Arsen Avakov, shkaktoi pakënaqësi nga turma, të cilët thanë se kandidatët në fjalë nuk vlenin për poste qeveritare.

Ndër ministrat e tjerë, përfshihen diplomati i karrierës Andriy Deschytsya, si ministër i Jashtëm – një ish-zëvendës-kryetar i Bankës Qendrore; Oleksander Shlapak si ministër i Financave; dhe Andriy Paruby si Sekretar i Sigurisë Kombëtare dhe Këshillit të Mbrojtjes.

“Na duhet të ndërmarrim nisma ekstremisht të pakënaqshme për popullin, pasi qeveria e mëparshme dhe presidenti i rrëzuar kanë qenë më se të korruptuar, sa që vendi ndodhet në një gjendje të dëshpëruar financiare”, tha Yatsenyuk për BBC, pas prezantimit të kabinetit.

“Jemi në prag të një fatkeqësie dhe kjo është qeveria e politikanëve të vetëvrarë. Ndaj dhe mirësevini në ferr”, shtoi ai. 39-vjeçari, i cili ka qenë më parë kryetar Parlamenti dhe ministër i Jashtëm, pritet të udhëheqë kabinetin deri në zgjedhjet presidenciale të 25 Majit.

Zyrtarët aktualë të qeverisë kanë parashikuar tashmë se vendi ka nevojë për 35 miliardë dollarë borxhe për të shmangur falimentin përgjatë 2 viteve të ardhshme. Të mërkurën, SHBA-të njoftuan se po konsideronin ofrimin e një huadhënieje deri në 1 miliard dollarë për ekonominë e “vrarë” ukrainase.

Top Channel