Krimea, zaptohet godina e qeverisë

27/02/2014 00:00

Forcat ukrainase të sigurisë janë vënë në gjendje gatishmërie, pasi ndërtesat qeveritare në rajonin me shumicë ruse të Krimeas janë marrë nën kontroll nga persona të armatosur.

Flamuri rus është ngritur në dy ndërtesat në kryeqytetin Simferopol dhe autoritetet nuk kanë bërë ende ndonjë deklaratë lidhur me situatën.

Marrja nën kontroll e ndërtesave vjen një ditë pas përballjeve mes separatistëve pro-rusë dhe mbështetësve të liderëve të rinj të Ukrainës.

Ministri i Brendshëm ukrainas, Arsen Avakov deklaroi se zona në Simferopol është rrethuar nga forca policie për të shmangur gjakderdhjen dhe tha se uzurpimi i ndërtesave është një akt “provokues”.

“Janë marrë masa për të frenuar veprimet e ekstremistëve dhe për të mos lejuar që situata të përshkallëzohet në një përballje të armatosur në qendër të qytetit”, deklaroi Avakov në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Personat që kanë rrethuar ndërtesat nuk kanë bërë ndonjë kërkesë apo ndonjë deklaratë, por u vendosën atje duke thënë se “Krimea është Rusi”. Agjencia e lajmeve “Associated Press” raportoi se trupat hodhën një granatë shurdhuese kur u pyetën nga gazetarët. 

Yanukovych: Jam ende president
Rusia i siguron mbrojtje personale liderit të rrëzuar

Viktor Yanukovych vazhdon ta konsiderojë veten udhëheqësin legjitim të Ukrainës. Përmes një deklarate të publikuar të enjten në agjensine e lajmeve ruse, ai i kërkon Moskës të garantojë sigurinë e tij përballë veprimeve të ekstremistëve që morën pushtetin në Ukrainë.

“Në rrugët e shumë qyteteve të vendit tonë ekstremizmi lulëzon. Kundër meje dhe bashkëpunëtorëve të mi janë bërë kërcënime fizike. Jam i detyruar t’u kërkoj autoriteteve ruse të më garantojnë sigurinë personale”, ka thënë Yanukovych.

Vendndodhja e Viktor Yanukovych mbetet e panjohur, megjithëse gazeta “Kathimerini” raportoi të mërkurën se “ai ishte arratisur dhe strehuar në Greqi, në manastirët e Malit Athos, në zonën e Halkidhikisë”.

Ndërkohë, Moska zyrtare ka njoftuar se do t’i garantojë atij mbrojtje në territorin e federatës ruse. Njoftimi është bërë nga një burim pranë pushtetit, të cilit i referohet agjencia shtetërore e lajmeve “Itar-Tass”.

“Duke qenë se presidenti Yanukovych i është drejtuar autoriteteve të Federatës Ruse duke kërkuar mbrojtje për sigurinë personale, kjo kërkesë është plotësuar në territorin e Federatës Ruse”, ka sqaruar burimi. 

Top Channel