Kore e Veriut, misionari jugor “kërkon falje”

27/02/2014 00:00

Një misionar koreano-jugor i burgosur në Korenë e Veriut është shfaqur para mediave për të lexuar publikisht një deklaratë ku kërkon të falur për “krimet anti-shtet”.

Pastori Kim Jong uk, 50 vjeç, tha se ishte arrestuar pasi kishte hyrë në vend në tetor përmes Kinës, me disa materiale fetare. Aktiviteti fetar është shumë i kufizuar në Veriun komunist, ku shumë misionarë janë arrestuar në të kaluarën.

Shtetasit e huaj të arrestuar në Korenë e Veriut ndonjëherë bëjnë deklarata publike, për të cilat më vonë thonë se i kanë bërë nën detyrimin e autoriteteve.

Në shfaqjen e tij të parë publike që pas arrestimit, Kim tha se ai dëshironte të informonte familjen e tij se është në gjendje të mirë shëndetësore.

Ai tha se kishte vepruar “në bazë të udhëzimeve” të Sherbimit Kombëtar të Inteligjencës të Koresë së Jugut, duke ngritur një kishë në provincën Dandong të Kinës, për të mbledhur informacione për jetën në Korenë e Veriut.

“Po mendoja ta ktheja Korenë e Veriut në një vend fetare dhe të shkatërroja qeverinë e tij aktuale bashkë me sistemin politik”, tha gjithashtu Kim në konferencën për shtyp.

Një raportim tjetër thotë se misionari koreano-jugor kishte punuar në Dandong për shtatë vjet, duke ndihmuar refugjatët koreano-veriorë.

Në nëntor, media shtetërore në Veri deklaroi se kishte arrestuar një “spiun” të Koresë së Jugut, akuzë të cilën agjencia e inteligjencës në Seul e mohoi.

Top Channel