Përbërja e qeverisë së re kalimtare të Ukrainës u prezantua në sheshin e Pavarësisë në Kiev, simboli i protestave anti-qeveritare, që sollën përmbysjen e Viktor Yanukovych.
Në krye të ekzekutivit do të vendoset lideri opozitar, Arseniy Yatsenyuk, pikërisht njeriu, të cilit ish-presidenti ia pati propozuar këtë post, në përpjekje për t’i dhënë fund trazirave në vend.
Yatsenyuk nuk e pranoi ofertën dhe vazhdoi të këmbëngulte për mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale.
Kabineti, që do të votohet në Parlament të enjten, përfshin një sërë aktivistësh të “Maidan”-it.
Megjithatë, euforia e fitores do t’i lërë shumë shpejt vendin realitetit dhe, sfidat me të cilat përballet kjo qeveri nuk janë të vogla, duke përfshirë këtu edhe rimëkëmbjen e një ekonomie të çalë, që rrezikon deri dhe falimentin.
Yanukovych, sakaq, është vendosur në listën e personave të kërkuar ndërkombëtarisht. Ish-kreu i shtetit, në arrati që prej ditës së shtunë, akuzohet për vdekjet e më shumë se 100 demonstruesve nga duart e policisë.
Spekulime të shumta qarkullojnë mbi vendndodhjen e tij, por zëvendës-Prokurori i Përgjithshëm Mykola Golomcha u tha reporterëve se ka informacione të besueshme, të cilat tregojnë se Yanukovych nuk është larguar nga vendi.
Përshkallëzohet situata në Krime
Përleshen protestuesit, presidenti Putin urdhëron stërvitje ushtarake
Më herët, presidenti rus Vladimir Putin dha urdhër për zhvillimin e manovrave urgjente ushtarake, për të kontrolluar gatishmërinë e trupave në rajonet qendrore dhe perëndimore të Rusisë, përfshirë zonat në afërsi të kufirit me Ukrainën.
Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, sqaroi se manovrat do të përfshijnë forcat tokësore, detare dhe ato ajrore, si dhe synojnë të shikojnë gatishmërinë e tyre për të përballuar situata krize, që kërcënojnë sigurinë e vendit.
Njoftimi parapriu përleshjet në Krimenë e banuar më së shumti nga rusisht-folës, që mbështesin Moskën, mbizotërues ndaj pakicës tartare, me prirje kundër Kremlinit.
Protestues pro-Kievit dhe tubues pro-Moskës u përleshën përpara ndërtesës së Parlamentit në Simferopol. Një person mësohet të ketë humbur jetën, por, sipas gjasave, kjo ka ndodhur nga një atak kardiak.
Pas protestave masive, që çuan në përmbysjen e Yanukovych, po përmendet gjithmonë, e më me shumë shqetësim, mundësia e ndarjes së Ukrainës, me 46 milionë banorë, në dy pjesë: Lindje dhe Perëndim, skenar ky, të cilin kreu i diplomacisë amerikane, John Kerry, e përshkroi si të pavend e i bëri thirrje Rusisë të tregohet e kujdesshme në gjykim dhe të respektojë integritetin territorial të këtij shteti.
Top Channel