Guvernatorja e Arizonës, veto ligjit kundër gay-ve

27/02/2014 00:00

Guvernatorja e Arizonës, Jan Brewer, ka vënë veton të mërkurën, ndaj një projektligji që do t’u lejonte bizneseve të drejtën për t’ua refuzuar shërbimet ndaj klientëve homoseksualë dhe lezbike.

Opinionet kanë qenë tepër të ndara, mbi këtë masë të akuzuar politike, teksa të dy palët kanë shtuar presionin ndaj Brewer, pasi ligjvënësit e shtetit të udhëhequr nga republikanët miratuan projektligjin javën e kaluar.

Brewer tha se bëri atë zgjedhje, që mendonte se ishte më e drejta për shtetin e saj.

“Unë i konsideroj ata ashtu siç i shoh, pavarësisht vërshëllimave apo thirrjeve nga turmat anti-njerëzore”, tha ajo, duke e quajtur projektligjin “si të formuluar gjerësisht” dhe duke shtuar se mund të sillte “pasoja të padëshiruara e negative”.

Brewer theksoi se do të analizonte dhe njëherë argumentet e të dyja palëve.

“Për mbështetësit e këtij projektligji, dua që ju të dini se e kuptoj shumë mirë që normat e hershme mbi martesën dhe familjen po sfidohen si kurrë më parë. Shoqëria jonë po pëson shumë ndryshime dramatike”, tha ajo. “Gjithsesi, me sinqeritet besoj se projektligji i Senatit 1062 ka potencialin për të krijuar më shumë probleme se sa mund të zgjidhë. Ai mund të përçajë Arizonën në mënyrë të atillë, që ne nuk mund ta imagjinojmë, dhe që askush nuk do të donte të ndodhte”.

“Liria për besimin është një bërthamë e amerikanëve si dhe një vlerë e Arizonës, ashtu siç është edhe mos-diskriminimi”.

Njoftimi i saj shkaktoi brohoritje dhe përqafime mes protestuesve kundër projektligjit janë parlamentit të shtetit në Phoenix, si dhe tërhoqi lavdërime të shpejta nga mbrojtësit e të drejtave të homoseksualëve.

“Diskriminimi nuk ka vend në Arizona, as në ndonjë vend tjetër”, tha Alessandra Soler, drejtore ekzekutive e Unionit amerikan të Lirive Qytetare, të Arizonës. “Jemi mirënjohës, që guvernatorja ndali këtë ligj të turpshëm nga hyrja në fuqi, ndërkohë që Arizona do të mbetet e hapur për bisnese ndaj kujtdo”.

Top Channel