Debati mbi interkonjeksionin me Kosovën

27/02/2014 00:00

Një deklaratë e ish-kryeministrit Sali Berisha në sallën e parlamentit ka ndezur sërish debatin për linjën e interkonjeksionit me Kosovën, një cështje e mpleksur me akuza dhe kundërakuza politike, jo vetëm brenda Shqipërisë.

“Këta dje akuzonin Sali Berishën për tenderin e linjës se ishte e djalit të tij, dje firmosën dhe dhanë të njëjtin tender. A mund të në thonë këta, e firmosën për djalin tim tenderin? Po ata që s’kanë fytyrë nuk kanë ç’të thonë”, deklaroi ish-kryeministri Berisha.

Por menjehërë pas kësaj deklarate, përmes një njoftimi zyrtar Ministria e Energjetikës përgjigjet se procedurat për përzgjedhjen e kompanisë fituese në tender u kryen nga qeveria e zotit Berisha. Sipas ministrisë, pasi e zvarriti për dy vjet ndërtimin e linjës, ishte qeveria e kaluar ajo që rifilloi procedurat për ritenderimin e saj, kur amendoi kontratën e konsulencës në shkurt të 2013-ës me bankën gjermane KFV.

Pas amendimit, sqaron Ministria, njoftimi për procedurën e re të tenderimit për këtë projekt u krye më 20 mars të vitit të kaluar. Tenderi u hap zyrtarisht në qershor, ndërsa më 9 gusht, u hapën ofertat teknike nga ku u skualifikuan një sërë kompanish. Sipas Ministrisë, kjo bëri që në datën 1 nëntor, në tender të paraqiste ofertën financiare vetëm një kompani, boshnjakja “Energoinvest”, të cilën referon dhe ish-kryeministri Berisha.

Ministria thotë se i gjithë procesi, i selektimit dhe përzgjedhjes deri në ofertën teknike është kryer nga drejtuesit e OST, gjatë qeverisjes së kaluar dhe konsulentët e bankës gjermane KFV. Në këto kushte, Ministria thotë se në datën 12 dhjetor ajo ka nënshkruar kontratën me “Energoinvest”, e cila ishte e vetmja kompani që kishte mbetur në garë nga përzgjedhja e bërë nga qeveria e kaluar.

Tenderi për linjën me Kosovën ka qenë një cështje e nxehtë debati. Projekti i nisur që në 2010-ën u bllokua nga qeveria e kaluar për më shumë se dy vjet, pas një konflikti që ajo pati me bankën gjermane KFV mbi fituesin e tenderit. Banka gjermane mbështeste një kompani kroate, e cila në bazë të kritereve të paracaktuara të tenderit rezultonte fituese. Por ish qeveria e demokratvë që bllokoi procesin pasi oferta e vendit të parë ishte tetë milionë euro më e lartë se sa kompania e renditur e dyta, që ishte pikërisht “Energoinvest”.

Në atë kohë  disa media në Kosovë, por edhe opozita akuzuan kryeministrin Berisha se ishte i lidhur me kompaninë “Energoinvest” dhe se po bllokonte qëllimisht linjën me Kosovën në dëm të interesave kombëtare.

Top Channel