
Shpesh herë autoritetet në Britaninë e Madhe ankohen për bandat kriminale të huaja që janë instaluar atje për shkak të emigracionit, por kur bëhet fjalë për krim të organizuar edhe gangsterët britanikë nuk bëjnë shaka.
Kështu, qindra oficerë të policisë londineze bastisën mbrëmjen e së mërkurës një seri pronash, në përpjekje për të goditur një nga bandat më mizore vendase, e që mban një emër të veçantë: familja Adams.
Anëtarë të familjes në fjalë, e konsideruar si një sindikatë e mirëfilltë kriminale, ishin mes 15 personave të arrestuar nga policia e armatosur deri në dhëmbë.
Në total forcat e policisë metropolitane bastisën 25 prona dhe sekuestruan 300 mijë stërlina kesh, ora dore luksoze, një pistoletë, një shotgun, si dhe një sërë armësh të tjera, pas një hetimi që zgjaste prej vitesh.
Mes pronave të kontrolluara ishin edhe biznese të ndryshme të cilat mendohet se përdoreshin për të pastruar paratë e pista. Në një kasafortë në një prej pronave në qendër të Londrës policia zbuloi 25 mijë stërlina kesh dhe disa aksesorë luksozë, ndërsa në një pronë tjetër 100 mijë stërlina të tjera.
Scotland Yard është e bindur se i ka dhënë një goditje të fortë familjes Adams, që ka një influencë kriminale në mbarë botën dhe gëzon reputacionin e ushtrimit të një dhune ekstreme. Për momentin asaj i atribuohen 25 vrasje.
Policia i akuzon anëtarët e saj për trafik droge, zhvatje dhe pengmarrje, ndërkohë që në vitet e fundit familja kishte lëvizur drejt krimit të jakave të bardha dhe atij teknologjik. Operacioni i policisë ishte koduar me emrin “Oktapodi”.
Në të djathtë Tom Adams, i konsideruar si kreu i organizatës kriminale
Top Channel