“KLD ka shkelur rëndë ligjin”

26/02/2014 00:00

Prej pesë vjetësh, qëkurse i përfundoi mandati si anëtar i Gjykatës së Lartë, profesor doktor Agron Lamaj pret që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ta emërojë sipas ligjit në një gjykatë tjetër.

Ndërsa janë bërë dhjetra mbledhje gjatë kësaj kohe dhe Lamaj ka radhitur njëra pas tjetrës tre kërkesa të ndryshme në KLD, ai nuk ja ka dalë mbanë ta veshë sërish tunikën e gjyqtarit. Gjatë një interviste për Top Channel ish-gjyqtari Lamaj akuzon KLD se nuk ka zbatuar ligjin.

“Në rastin konkret KLD ka shkelur ligjin. Nenin 26 të ligjit për organizimin gjyqësor i cili imponon që ne të emërohemi drejtpërdrejtë në Gjykatën e Apelit. Bëra kërkesë në disa gjykata, duke filluar nga e Vlorës, e Durrësit dhe përfundimisht në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Asnjë përgjigje nuk m’u dha, megjithëse kisha bërë kërkesë”, thotë Lamaj.

Përgjatë kësaj heshtjeje, kur cështja e vet qëndron në pritje, ai ju drejtua Gjykatës Civile.

“Kthimi i akteve për mua ishte shumë qesharak sepse ishte një pretendim i pabazuar në ligj. Gjyqtarja kërkonte nga mua provat që i kishte vetëm KLD dhe jo unë. Iu drejtova nënkryetarit të KLD-së që ai të më vinte në dispozicion provat, ai nuk më ktheu asnjë përgjigje dhe përfundimisht gjykata ktheu aktet mbrapsht meqësnëse nuk u përgjigj nënkryetari i KLD-së”, shton ish-gjyqtari.

Në pritje që të rikthehet në gjyqësor, Lamaj i është kthyer jetës akademike. Por si e percepton KLD ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë?

“Vlen që të realizohet një reformë në organet e drejtësisë, që nga mënyra e emërimit dhe shkarkimit të gjyqtarëve. Në rastin konkret ne kemi të bëjmë me një KLD që përbëhet nga gjyqtarë, pra vetë gjyqtari kthehet në një organ që gjykon po kolegun e tij, gjyqtarin tjetër. Kjo nuk është e drejtë. Një organ gjyqësor duhet të jetë i pavarur dhe nuk ka mundësi që një gjyqtar të gjykojë një tjetër. Anëtarët e KLD-së duhet të mos jenë gjyqtarë, por të jenë thjesht anëtarë të KLD-së dhe të shohin drejtësinë dhe zbatimin e ligjit”, përfundon Lamaj.

Top Channel