Hezbollahu do t’i kundërpërgjigjet Izraelit, pasi disa avionë ushtarakë sulmuan të hënën një bazë të kësaj organizate në kufirin midis Libanit dhe Sirisë.
Lëvizja militante shiite e Hezbollahut e konsideroi operacionin ushtarak si një “poshtërim të hapur të Libanit, sovranitetit dhe territorit të tij”.
Në intervistën televizive, një drejtues i lartë i kësaj organizate të konsideruar si terroriste prej Izraelit, SHBA-ve dhe BE-së, tha se Hezbollahu po mendon për mënyrën dhe vendin më të përshtatshëm për t’u kundërpërgjigjur.
Izraeli nuk e ka konfirmuar zyrtarisht që ishin gjuajtësit e tij që realizuan bombardimin në Luginën e Bekaas, pranë Jantës.
Megjithatë, ditën e martë, kryeministri Benjamin Netanyahu theksoi se Tel Avivi do të bëjë gjithçka që ka në dorë për të mbrojtur sigurinë e Izraelit.
“Ne nuk kemi ndërmend të bëjmë publike se çfarë bëjmë dhe se çfarë nuk bëjmë për të garantuar sigurinë tonë”, theksoi Netanyahu.
Lufta Civile Siriane, në të cilën Hezbollahu është përfshirë në mbështetjen e Bashar al-Assad ka ndezur tensionet në rajon, ndërsa Tel Avivi disa herë ka realizuar operacione ushtarake të një shkalle të ngushtë, për të goditur pozicionet e forcave pro-qeveritare gjatë këtij konflikti.
Top Channel