Një shpërthim me lëndë plasëse të tipit tritol, e që dyshohet se kishte si shënjestër një biznesmen në fushën e ndërtimit plagosi rëndë tre persona në kryeqytet, mes të cilëve edhe objektivin e këtij atentati.

Armando Ceka, 33 vjeç, ndaj të cilit gjashtë muaj më parë ishte organizuar edhe një atentat tjetër i ngjashëm. I plagosur është edhe Julian Çela, 28 vjeç, shok me biznesmenin e po ashtu edhe shofer i tij, si edhe Artur Sharra, 46 vjeç, truprojë i të riut.

Të tre burrat u lënduan rëndë nga shpërthimi i gati 500 gramëve tritol të instaluar në biznesin që ata kishin marrë në administrim prej disa kohësh, ndërkohë që u transportuan për në spital nga kalimtarë të rastit.

“Ceka dhe Çela janë rëndë, ndërsa Sharra ka dëmtime të lehta dhe s’ka rrezik për jetën. Çela ka amputim të dy këmbëve, ndërsa Ceka ka amputim të këmbës së majtë dhe një plagë penetruese në të dhjathtën”, ka deklaruar Artan Distafa, nëndrejtor i spitalit të traumës.

Duke iu referuar informacioneve paraprake,  policia e Tiranës thotë se Armando Ceka nuk banonte në rrugën Budi ku edhe ndodhi atentati, por ai administronte objektin ku ishte vendosur lënda shpërthyese, një ndërtesë dykatëshe e cila nuk frekuentohej më as si lokal dhe as si hotel.

Policia thotë se godina ka shumë mundësi të përdorej nga Ceka si një vend takimesh dhe konsulencë biznesesh, ndërsa në të jetonin me qera edhe disa persona të tjerë. Disa banorë i thanë policisë se, prej kohësh dy shokët e Cekës kontrollonin zonën përreth përpara se të mbërrinte 33-vjeçari, për shkak të qytetarëve që e kërkonin për çështje pronash. Kjo e dhënë i bën dyshues hetuesit, të cilët aludojnë se me shumë mundësi Armando Ceka po përpiqej të fshihej nga persona të tjerë.

Policia thotë për Top Channel se disa shtetas të identifikuar, por që nuk mund të thuhet nëse kanë apo jo lidhje me ngjarjen, kërkonin të kontaktonin me Cekën për shkak të konflikteve që kishte si bashkortak në fushën e ndërtimeve, duke qenë se nuk kishte përfunduar investimet në mjaftë apartamente për të cilat ishte paguar nga të interesuarit.

Specialistë të forcave xheniere thonë se lënda plasëse ishte vendosur në katin e parë të ndërtesës dhe sapo dera është hapur ka ndodhur shpërthimi. Të tmerruar dëshmitarët okularë tregojnë: “Te dera ishin dy veta, kishte të qara e ulërima. Ndaloi një makinë dhe erdhi e mori. A një këmbë a të dyja këmbët i kishin ikur, nuk e mbaj mend”.

Në muajin shtator 2013, mjeti tip “Volvo”, pronë e biznesmenit Armando Ceka shpërtheu në ecje e sipër, por fatmirësisht ai shpëtoi pa dëmtime. Grupi i hetimit tha në atë kohë se kjo ngjarje mund të ketë qenë më shumë një mesazh për konfliktet e biznesmenit, duke qenë se pak kohë më parë e njëjta gjë kishte ndodhur edhe me bashkortakun e tij në fushën e ndërtimeve. Por, i pyetur në atë kohë nga prokurorët, Ceka nuk dha asgjë të vlefshme për hetimin, në mënyre që prokurorët të kishin emra të dyshuarish.

Ky është shpërthimi i dytë që ndodh në këtë zonë pas atentatit ndaj palestinezit Anuar Rizvik, ngjarje që nuk është zbardhur ende. Kjo, pasi duke qenë se pranë vendit të ngjarjes ndodhet edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ekspertët që po mbikëqyrnin skenën e krimit u gjendën papritur të rrethuar nga kureshtarët nga njëra anë dhe rojet e sigurisë të ambasadës nga ana tjetër.

Top Channel