Informaliteti dhe borxhet e shumta në sektorin energjitik vazhdojnë të
rëndojnë situatën energjitike në vend. Në rajonin e Durrësit ku humbjet
janë mjaft të konsiderueshme, CEZ Shpërndarje ka nisur verifikimin e të
gjithë matësve të konsumatorëve durrsakë për të ndalur abuzimet masive
në konsumin e energjisë elektrike.

Prej disa ditësh grupet e punës kanë nisur verifikimin e matësve në terren dhe marrjen e masave.

Ka ndërhyrje në matje, ka vjedhje, ka abuzime me energjinë elektrike. Kjo na ka bërë që të krijojmë një grup të vecantë, i cili po merret me testimin e matësve në çdo pallat. Kemi kapur subjekte private dhe i kemi gjobitur. Aksioni ynë do të vazhdojë, sepse kjo është e vetmja rrugë për të ndalur abuzimet”, tha Avdyl Koka, drejtor i shitjes dhe arkëtimit pranë CEZ Durrës.

Rezultatet e konstatuara dhe në bashkëpunim me një laborator privat flasin për një vjedhje të kthyer tashmë në fenomen përmes prerjes së nulit, tokëzimit të energjisë me qëllim shmangjen e faturimit të saj.

“Janë disa lloj ndërhyrjesh nga konsumatorët që bëjnë të mundur vjedhjen e energjisë. Ne kemi konstatuar disa lloj ndërhyrjesh që mundësojnë vjedhjen e energjisë”, thotë një inxhinier matjesh.

Në rajonin e Durrësit një problem më vete mbetet vjelja e borxheve nga institucionet dhe entet publike, që kapin vlerën e 888 milionë lekëve. Ndër debitorët më të mëdhenj të energjisë elektrike renditen shoqëritë aksionere të Ujësjellësit, Dega e Shërbimeve Qeveritare, rajoni i policisë së Shijakut, Impianti i Ujërave të Zeza, hidrovoret, si dhe shkolla e qendra të ndryshme shëndetësore.  

Top Channel