Paraditen e së martës është dorëzuar në Kryesinë e Kuvendit projektligji për ndryshime në Kodin Penal duke cilësuar vepër penale përfshirjen në konflikte të huaja të shtetasve shqiptarë.

Propozues të projektligjit janë 9 deputetë të PD dhe LSI dhe një deputet i vetëm nga opozita, Tahir Muhedini.

Neni 1 i projektligjit parashikon se pjesëmarrja në operacione luftarake që zhvillohen në territorin e një shteti të huaj pa qenë shtetas në shtetin e huaj, pa qenë pjesëtar i forcave të armatosura në konflikt, ose një force ushtarake zyrtare të Forcave të Armatosura të një shteti që nuk është palë në konflikt, ose të forcave ushtarake ndërkombëtare, dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet burg.

Kur kjo vepër penale kryhet me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues ose shkeljen e integritetit territorial të një shteti të huaj, dënohet nga 5 deri në 10 vjet. 5 deri në 15 vjet burg është propozimi për ata që nxisin, drejtojnë, rekrutojnë, krijojnë fonde apo mjete të tjera për financimin e personave në cdo formë apo mënyrë të veprës penale të parashikuar nga neni 265/a.

Ndërsa neni 3 i projektligjit sanksionon dënim deri në 3 vjet burg për ata që bëjnë thirrje publike me cdo formë, mjeti apo mënyre për pjesëmarrjen në veprimtari luftarake.

Në relacionin shoqërues të projektligjit thuhet se kjo vepër penale, përpos cënimit të marrëdhënieve paqësore të shtetit shqiptar me shtetet e huaja, të njohura ndërkombëtarisht, cënon autoritetin shtetëror përsa kohë thirrja nën armë, rekrutimi, organizimi në formacione luftarake dhe dërgimi si palë ndërluftuese është një prerogativ ekskluzive shtetërore.

Top Channel