Pakistan, sulm në bastionet e talebanëve

25/02/2014 00:00

Ushtria pakistaneze ka kryer një seri sulmesh ajrore ndaj bastioneve të militantëve në veri-perëndim të vendit, duke vrarë të paktën 30 persona.

Avionët luftarakë bombarduan objektiva në zonën tribale të Uaziristanit Verior ditën e martë, deklaruan autoritetet lokale, ndërkohë që luftime u raportuan edhe në Uaziristanin Jugor.

Bisedimet mes qeverisë pakistaneze dhe negociatorëve të militantëve talebanë u ndërprenë javën e kaluar, pasi një grup i lidhur me talebanët deklaroi se kishte vrarë 23 ushtarë.

“Militantët kishin zaptuar një zonë mes dy Uaziristanëve dhe kishin ngritur atje baza stërvitjeje, ku përgatiteshin edhe për atentate vetëvrasëse”, deklaroi në kushte anonimati një zyrtar i lartë ushtarak.

Sulmet e fundit shënjestruan kryesisht luginën e Shaualit dhe atë Data Khel në pjesën veriore të vendit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters” në edicionin e saj online.

Deri tani nuk ka pasur konfirmim jozyrtar për numrin e të vrarëve. Sulmet vijnë një ditë pasi komandanti i talebanëve pakistanezë Asmatullah Shaheen u qëllua për vdekje në të njëjtat zona.

Shaheen ishte lideri i përkohëshëm i talebanëve pakistanezë, pas vrasjes së shefit kryesor Hakimullah Mehsud vitin e kaluar, në një sulm amerikan me avionë të telekomanduar.

Top Channel