Shtetet e Bashkuara të Amerikës informuan se i kanë kërkuar Bagdadit zyrtar shpjegime, në lidhje me lajmin se Iraku ka nënshkruar një marrëveshje për blerjen e armëve nga Irani, pavarësisht se diçka e tillë ndalohet nga sanksionet në fuqi të OKB-së.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki, tha se nëse marrëveshja prej 195 milionë dollarësh për blerjen e një serie armësh të lehta dhe municionesh do të konfirmohej, “do të ngriheshin shqetësime serioze ndaj Irakut”.
Agjensia “Reuters” informoi për herë të parë gjatë së hënës, se dy shtetet fqinje kishin firmosur këtë marrëveshje në muajin Nëntor.
Një zëdhënës i kryeministrit iraken, i kontaktuar nga mediat ndërkombëtare nuk pranoi të konfirmonte ose të mohonte lajmin.
Aktualisht, autoritetet irakene janë duke u përballur me militantët islamikë, të cilët kanë marrë kontrollin e disa zonave të qyteteve të Ramadit dhe Faluxhës.
Top Channel