
Një anije patrullimi koreano-veriore ka shkelur kufirin detar me Korenë e Jugut disa herë gjatë ditës së hënë, njoftojnë zyrtarë nga Seuli.
Anija kaloi disa orë në kufirin jugor, në afërsi të një ishullit të Koresë së Jugut, para se të kthehej në pikën e nisjes pas paralajmërimeve të Seulit. Dy Koretë kontestojnë kufirin detar, me Veriun që ka dërguar disa herë anije në të kaluarën.
Ngjarja ndodh teksa zhvillohen stërvitjet e përbashkëta luftarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, të cilat kundërshtohen nga Peniani. Patrulla koreano-veriore kaloi Vijën Veriore të Kufirit, VVK, të cilën Jugu e konsideron si kufirin detar mes dy palëve, rreth orës 22:46 me orën lokale.
Nga ana e tij Jugu përsëriti 10 herë paralajmërimin para se anija të kthehej rreth 4 orë më vonë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes në Seul. Megjithatë, Korea e Veriut e ka kundërshtuar disa herë VVK-në dhe ka hartuar kufirin e saj që shkon përtej vijës së Jugut.
“Shkelja e vijës kufitare nga anija koreano-veriore shihet si pjesë e stërvitjeve ushtarake, për të vënë në provën ushtrinë koreano-jugore”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes. Anija thuhet se kishte hyrë në një rreze prej 23 kilometrash të kufirit të Jugut, pranë ishullit Baengnieong.
Në vitin 2010 një anije luftarake koreano-jugore u mbyt në afërsi të ishullit në fjalë, ku për pasojë gjetën vdekjen 46 marinarë. Korea e Jugut deklaroi se anijet veriore kishin goditur mjetin e saj, por Peniani e mohoi një gjë të tillë.
Top Channel