KLSH padit 10 ish-drejtues të ALUIZNI në Elbasan

25/02/2014 00:00

KLSH ka bërë kallëzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për 10 ish-drejtues të ALUIZNI-t Elbasan.

Konkretisht për L.H., ish-Drejtor ALUIZNI Elbasan, A.Z., ish-Përgjegjës i Sektorit të Regjistrimit dhe Legalizimit, B.V., ish-Përgjegjëse e Sektorit të Legalizim-Urbanizimit, V.H., ish-Përgjegjëse e Sektorit të Legalizimit, M.XH., ish-Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë, I.D., ish-Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë, H.P., ish-Përgjegjës i Sektorit të Regjistrimit Fillestar, F.L., ish-Përgjegjës i Sektorit të Legalizimit, E.T., ish-Përgjegjës i Sektorit të GIS dhe A.XH., ish-Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë.

Në një njoftim të saj, KLSH thekson se pas një auditimi në Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit, Integrimit të Zonave/Ndërtimeve  Informale (ALUIZNI), Elbasan, u konstatuan një sërë shkeljesh në drejtim të zbatimit të procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje.

Sipas KLSH në 167 dosje legalizimi, është konstatuar një diferencë e madhe e sipërfaqes për legalizim me sipërfaqen e legalizuar, e cila përbën një të ardhur të munguar në Buxhetin e Shtetin për Fondin e Kompensimit të Ish-Pronarëve, mbi 4 milionë dollarë, veprim ky në kundërshtim me ligjin mbi Legalizimin e Zonave Informale.

Grupi i Auditimit i KLSH ka rekomanduar një sërë masash organizative, ndër të cilat, kërkesa që Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit të fillojë procedurat për shfuqizimin e lejeve të legalizimit, për objektet e pajisura me leje legalizimi, si  dhe për ato që kanë lidhur kontratat, në kundërshtim me ligjin.

Po ashtu, KLSH ka kërkuar të saktësohet, kontabilizohet dhe të kërkohet në rrugë ligjore sa më shpejt që të jetë e mundur, arkëtimi i vlerës 412,633,988 lekë, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe procedurat e tjera ligjore në të gjitha shkallët e gjykimit.

Top Channel