Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ish-Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama janë thjesht individë në vështrimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e minimalisht as anëtari i saj Naço nuk përfaqëson tagrin e zyrtarit të drejtësisë.

Në reagimin për cështjen ‘Rama’ KLD shprehet se u njoh me prononcimet në media nga individë të pakënaqur nga vullneti i shprehur me votë nga shumica e anëtarëve dhe se vendimet e ndërmarra nuk merren në asnjë rast në ndikimin e politikës. Më tej njoftimi thekson se asnjë maxhorancë politike në cdo kohë dhe në asnjë rrethanë nuk mund t’i imponojë Këshillit asnjë lloj vendimmarrje.

“Këshilli vendosi dje me shumicë votash të rrëzonte kërkesën e Zj. Ina Rama, për t’u emëruar pa konkurim në detyrën e gjyqtares së gjykatës së Apelit Tiranë, pasi vetë Zj. Rama kërkoi t’i impononte vullnetin e saj, KLD-së, duke e kërkuar atë si të vetmen alternativë. Për çdo gjyqtar apo ish-gjyqtar që kërkon të ushtrojë detyrën në një Gjykatë Apeli, është e drejtë dhe e ndershme që t’i nënshtrohet konkurimit të barabartë me pretendetët e tjerë, ashtu siç është në tagrin e Këshillit, e drejta për të përzgjedhur më pas konkurentët më të mirë të mundshëm”, thuhet në deklaratë.

Në reagimin për mediat KLD shton se:

“Për t’i mbyllur rrugën çdo keqinterpretimi të ligjit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë sqaron se Zj. Rama nuk e ka shfrytëzuar asnjëherë të drejtën e saj ligjore, për të kërkuar rikthimin në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, në të cilën ka ushtruar detyrën e gjyqtarit përpara zgjedhjes si Prokurore e Përgjithshme. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, nuk është e barazvlefshme me asnjë Gjykatë Apeli në vend, përsa i përket karrierës, trajtimit financiar, të drejtës për mbrojtje dhe një sërë të drejtash të tjera”, shton KLD.

Një ditë më parë ish-Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama tha për Top Channel se vendimi i KLD është politik dhe jashtë kuadrit ligjor.

“Arsye politike, nuk gjej asnjë argument ligjor, që të justifikojë mbajtjen pezull të kërkesës sime. Ligji shpreh qartë se Prokurori i Përgjithshëm, në përfundim të mandatit, kthehet në detyrën e mëparshme si gjyqtar Apeli, ose në një detyrë të barazvlefshme me të. Kjo ka qenë një çështje e mbajtur pezull për një vit. Unë i jam drejtuar Presidentit, Ministrit të Drejtësisë, për të futur çështjen time në rendin e ditës. Vetëm Ministri i Drejtësisë ka kërkuar futjen e çështjes sime në rendin e ditës”, tha Ina Rama.

Top Channel