
Parlamenti ukrainas votoi për dërgimin e presidentit të përmbysur Viktor Janukovic në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë sapo ai të kapet.
Rezoluta e mbështetur nga shumica e asamblesë e lidh ish-kreun e shtetit, prej ditësh tashmë në arrati, me dhunën policore të përdorur kundër protestuesve e cila shkaktoi vdekjen e më shumë se 100 mbështetësve të opozites dhe plagosjen e 2.000 të tjerëve.
I njëjti dokument del në përfundimin se dy aleatë të ngushtë të Janukovicit, ish-ministri i Brendshëm Vitaly Zakharchenko dhe ish-prokurori i Përgjithshëm, Viktor Pshonka, edhe këta të shpallur në kërkim duhet të përgjigjen gjithashtu para drejtësisë në Hagë.
“Përgjatë tre muaj trazirash nëpër rrugë dhe protestash anti-qeveritare, autoritetet nën drejtimin e Janukovicit kanë abuzuar sistematikisht me pushtetin e tyre. Metodat e torturës të përdorura nga policia kundër demostruesve përfshinin mbajtjen e aktivistëve të zhveshur jashtë në të ftohtë në temperatura 15 gradë nën zero. Parlamenti i Ukrainës i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare Penale me kërkesën e gjykimit të zyrtarëve të lartë vendimet e të cileve cuan drejt pasojave serioze dhe vrasjeve masive të qytetareve ukrainas gjatë protestave paqësore të 21 dhe 22 shkurtit 2014”, deklaroi Oleksandr Turchinov, President i Përkohshëm i Ukrainës.
“Të gjithë ata që kanë mbajtur poste qeveritare, të gjithë ata që kanë pasur poste drejtuese në strukturat e zbatimit të ligjit, të gjithë ata që dhanë urdhra dhe ata që i zbatuan do të ndëshkohen pa asnjë përjashtim. Ne nuk harrojmë”, tha Oleh Tyahnibok, kryetar i Partisë Nacionaliste, Svoboda.
Nga Kievi shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian premtoi një mbështetje më të madhe ndërkombëtare për Ukrainën teksa vazhdojne përpjekjet për krijimin e qeverisë së re. Kryediplomatja europiane sqaroi se institucionet financiare perëndimore po punojnë mbi mënyrat për ta ndihmuar ekonominë ukrainase të rimëkëmbet nga tre muaj protesta politike.
Ashton i bëri gjithashtu thirrje Rusisë ta lejojë vendin të gjejë rrugëdalje nga kriza politike. Deklaratat e saj vijnë në kohën kur planet për ngritjen e një qeverie të unitetit kombëtar u shtynë nga parlamenti për të enjten, me argumentin se kjo vonesë synon të lejohen konsultime të reja për këtë çështje.
Pështjellimi i krijuar në vend pas përmbysjes se Janukovicit shtyu Presidentin e Përkohshëm Turchynov të paralajmërojë mbi rreziqet e separatizmit pas rezistencës që rajonet pro-ruse të vendit janë duke i bërë administratës së re në Kiev.
Top Channel