Izraeli sulmon kufirin lindor të Libanit

25/02/2014 00:00

Avionët izraelitë kanë ndërmarrë sulme nga ajri në lindje të Libanit, pranë kufirit me Sirinë, njofton agjencia shtetërore libaneze e lajmeve.

Ushtria izraelite nuk ka lëshuar asnjë koment, edhe pse një burim i forcave të sigurisë së Izraelit është cituar nga “Reuters”, të ketë thënë se ka pasur “aktivitete të forcave ajrore në veri të vendit”.

Agjencia kombëtare e lajmeve në Liban tha se sulmet ajrore kanë ndodhur pranë fshatit Nabi Sheet, në Luginën Bekaa.

Grupi i militantëve libanezë, Hezbollah, ka një prezencë të theksuar në këtë luginë.

Korrespondentët thonë se kufiri lindor i Libanit frekuentohet shpesh herë nga kontrabandistët dhe avionët izraelitë kanë shënjestruar zonën disa herë përgjatë dy viteve të fundit.

Burimet e sigurisë kanë thënë se objektivat mund të kenë qenë kamionë me armë nga Siria, të destinuara për Hezbollahun.

Top Channel