Incest në familjen e ngujuar nga gjakmarrja

25/02/2014 00:00

Dramë brenda një familjeje të varfër e të ngujuar prej vitesh nga
gjakmarrja, ku kryefamiljari është denoncuar nga e bija se prej disa
muajsh, tre ose katër herë në muaj, ai e ka dhunuar seksualisht.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat të Shkodrës, ndërkohë që policia lokale ka arrestuar të dyshuarin për incest, i cili më parë ka qenë i dënuar me 15 vjet burg për vrasje.

Abuzimi dyshohet se ka ndodhur ndaj vajzës së vogël të familjes së 62-vjeçarit T. B., nga fshati Reç i Ri i Komunës Velipojë, e cila bashkë me motrën e madhe dhe nënën e saj është paraqitur para pak ditësh në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. 14-vjeçarja ka rrëfyer para psikologes dhe në praninë e të ëmës se babai i saj, prej disa muaj ka abuzuar seksualisht me të dhe ajo ka pasur frikë të tregojë, pasi ai e ka kërcënuar se do e vrasë. Madje, ajo ka shtuar se vrasjes prej tij i druhej shumë, pasi ai ka vrarë dhe më parë, fakt për të cilin, dy vëllezërit e saj dhe i ati janë të ngujuar prej vitesh. Ndërkohë, duke rrëfyer abuzimin e kryer ndaj saj, e mitura ka shpjeguar se kjo ka ndodhur zakonisht në orët e vona të natës, kur të gjithë ishin në gjumë. Madje, kohët e fundit, ajo mendohet se është abuzuar seksualisht 3-4 herë në muaj. Kjo mendohet se është kuptuar nga nëna e të miturës, e cila ka arritur të zbulojë të vërtetën dhe i është drejtuar policisë.

Duke u bazuar në kallëzimin e vajzës, grupi hetimor ka kërkuar ekspertizën mjekoligjore të saj, nga e cila ka rezultuar se ajo është e defloruar dhe menjëherë prokurori ka lëshuar urdhrin e arrestit për babanë e saj 62-vjeçar. Të gjithë banorët e zonës mësohet se kanë mbetur të shtangur, kur dy makina policie kanë shkuar në banesën e të ngujuarit dhe e kanë marrë në pranga atë pas kallëzimit të depozituar të vajzës 14-vjeçare. Gjatë marrjes në pyetje, ai nuk ka pranuar të ketë kryer një veprim abuziv me vajzën, duke pretenduar se kjo është shpifje për shkak të konflikteve në familje, që janë krijuar shpeshherë nga gjendja e rënduar ekonomike.

62-vjeçari ka pretenduar para oficerit të policisë gjyqësore se në vitet ’90 ka kryer një vrasje dhe për këtë është dënuar me 15 vjet heqje lirie. Pasi ka mbaruar dënimin, ai është detyruar të ngujohet bashkë me dy djemtë nga frika e gjakmarrjes, ndërkohë që të vetmet që punojnë në shtëpi janë gratë e familjes, shtatë vajzat dhe e shoqja. Megjithatë, për familjen e tij gjendja ekonomike ka qenë e rënduar dhe shpeshherë ka kërkuar pajtim me familjen e gjakësit. Madje, për disa vite ai ka qenë i pranishëm në takimet e organizuara në Shkodër për këtë qëllim, ku ka qenë i pranishëm edhe Avokati i Popullit. Në përfundim, ai është shprehur se duan ta heqin nga kurrizi, meqë ai nuk mund të bëhet krah pune. Por, këto pretendime nuk e kanë bindur policinë dhe prokurorin, që kanë vendosur arrestimin e tij. Ndërkohë, të shokuar nga ky krim kanë mbetur edhe banorët e zonës, të cilët janë shprehur se të arrestuarin e njihnin si burrë me karakter të fortë dhe se ishte shumë familjar. Nga ana tjetër, policia tha se vajzës 14-vjeçare i është ofruar asistencë nga psikologët për shkak të gjendjes së rënduar pas abuzimit me të.

Top Channel