
Një nga faqet kryesore të këmbimit të monedhës elektronike Bitcoin, MtGox, ka përfunduar offline.
Lëvizja mund të sjellë një tërheqje të mbështetësve të Bitcoin, të cilët kanë nxitur zgjerimin e përdorimit të saj.
Faqja e këmbimit është prekur nga probleme teknike dhe së fundmi kishte ndaluar të gjithë klientët të kryenin transaksione dixhitale, pasi kishte zbuluar ato që i quajti “aktivitete të pazakonta”.
Ndërkohë, gjashtë faqe të tjera këmbimi të monedhës lëshuan një deklaratë të përbashkët ku distancoheshin nga MtGox. Sipas tyre, vendimi i kësaj të fundit për të ndaluar përkohësisht veprimet ka çuar në një rënie të ndjeshme të vlerës së Bitcoin-it.
“Kjo shkelje tragjike e besimit të përdoruesve të MtGox ishte rezultat vetëm i asaj kompanie dhe nuk reflekton elasticitetin apo vlerën e Bitcoin dhe industrisë së valutës dixhitale”, thuhet në deklaratën e faqeve të tjera, përfshirë këtu Coinbase dhe BTC China.
“Si në çdo industri e re, edhe këtu ka aktorë negativë që duhen përjashtuar dhe kjo është pikërisht ajo që po kërkojmë të bëjmë ne sot”, vijon më tej njoftimi për shtyp.
“Gjithësesi, ne jemi besimplotë se kompanitë e forta të Bitcoin, të udhëhequra nga grupe kompetente dhe të mbështetura nga investitorë të besueshëm, do të vazhdojnë të lulëzojnë dhe të realizojnë premtimin që Bitcoin ofron si mënyra e ardhshme e shpenzimeve në epokën e internetit”, thuhet më tej në dokument.
MtGox ndërpreu transferimin e valutës dixhitale në adresa të jashtme që më 7 shkurt. Firma me bazë në Tokio deklaroi se kishte gjetur një hapësirë nga e cila hakerat mund të manipulonin transaksionet, duke dërguar dyfishin e numrit të saktë të Bitcoin-it.
Top Channel