Arrestohet “tregtari” i ekplozivit

25/02/2014 00:00

Një 50-vjeçar është arrestuar në mesditë nga forcat e komisariati Nr.5
në Tiranë në qendër të Kamzës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar, i janë
gjetur në trup katër kallëpe dinamiti të fshehura.

Burime nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se i arrestuari është 50 vjeçari Gëzim Allushi. Arrestimi i tij është bërë pas një ndjekje dhe hetimi disaditor, ku dyshohet se Allushi ishte i përfshirë në trafikun e armëve.

Menjëherë pas arrestimit, 50-vjeçari është dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, për t’iu nënshtruar hetimeve të mëtejshme nga oficerët e policisë dhe prokurorët.

Por kjo nuk është hera e parë që Gëzim Allushi arrestohet nga Policia për të njëjtën vepër. Më datë 24 prill 2011 në oborrin e spitalit Durrës është arrestuar në flagrancë pasi nga kontrolli i ushtruar atij iu gjenden me vete një sasi prej 4 kallëpe lëndë plasëse dhe një kapsollë detonator me fitil. Kanë qenë efektivët e policisë, të cilët në ambientet e spitalit Durrës po ruanin një të dënuar, të cilët kanë vënë re Gezim Allushin, i cili bënte lëvizje të shpeshta e të dyshimta në oborrin e spitalit dhe pas kontrollit të ushtruar kanë zbuluar sasinë e eksplozivit që kishte me vete.

Lidhur me këtë ngjarje, Gëzim Allushi më datë 12.07.2011 nga Gjykata e Durrësit është dënuar me 8 muaj burgim. Po ashtu mësohet se Allushi rezulton së është dënuar dhe për “dhunë në familje”. Nga ana e saj Policia e Tiranës është duke vijuar hetimet për të zbuluar prejardhjen dhe destinacionin e lendës eksplozive.

Top Channel