
Ukraina lëshoi një mandat-arresti për presidentin e shkarkuar Viktor Janukoviç. Ministri i Brendshëm Arsen Avakov shkruajti në Facebook se është hapur një çështje kriminale kundër Viktor Janukoviçit dhe zyrtarëve të tjerë, të akuzuar për vrasje masive të qytetarëve paqësorë.
Deputetët votuan shkarkimin e ish-presidentit të shtunën pas disa muajsh protestash që u përhapën në të gjithë vendin, pas anullimit të marrëveshjes me Bashkimin Europian.
Avakov tha se Janukoviçi është parë në Balaklava në gadishullin e Krimesë, të dielën, por që andej është nisur me makinë në një vend të panjohur i shoqëruar nga një këshilltar i tij.
Përpara se të nisej për Balaklava ai u caktoi detyrat njerëzve të tij të sigurisë. Të shtunën, Viktor Janukoviç deklaroi se do të vazhdojë të qëndrojë në Ukrainë, po tashmë është bllokuar, në parlament, ku u votua për shkarkimin e tij si dhe për të zhvilluar zgjedhje presidenciale më 25 Maj.
Ministri i Brendshëm është një prej figurave kryesore të opozitës. Ai u caktua në këtë post të shtunën, që u cilësua një ditë ndryshimesh. Ai zëvëndësoi në këtë detyrë Vitali Zakarçenkon, i cili u shkarkua një ditë përpara se të fajësohej për vdekjet e civilëve. Protestat nisën, në fund të nëntorit kur Janukoviçi kundërshtoi marrëveshjen e tregtisë me Bashkimin Europian për të patur nga ana tjetër marrëdhenie më të ngushta me Rusinë.
Ndërkohë, ministri i përkohshëm i Financave, Juri Kolobov tha se Ukraina ka nevojë për 35 miliardë dollarë si ndihmë dhe bëri thirrje për një konferencë donatorësh. Ministria e Shëndetësisë tha se 88 persona, kryesisht protestues anti-Janukoviç, por edhe policë humbën jetën në përleshjet e javës së kaluar.
Shefja e Politikes së Jashtme të Bashkimit Europian, Kethrin Eshton, do të vizitojë Kievin, të hënën për të diskutuar mbështetjen e Brukselit për një zgjidhje afat-gjatë të krizës politike dhe masave për të stabilizuar situatën ekonomike.
Top Channel