Rusia përshkallëzon retorikën

24/02/2014 00:00

Rusia ka përshkallëzuar retorikën kundër lidershipit të ri “perëndimor” të Ukrainës, në prag të rritjes së tensioneve pas rrëzimit të presidentit Viktor Yanukovych.

Kryeministri rus, Dmitry Medvedev, tha se autoritetet e përkohshme në Kiev kanë realizuar një “kryengritje të armatosur”. Ndërkohë, Ministria e Jashtme ruse shtoi se disidentët, kryesisht në rajonet rusisht-folëse, po përballen me praktika shtypëse.

Më herët, ministri i Brendshëm i Ukrainës, i përkohshëm, tha se është lëshuar një urdhër-arresti për Yanukovych. Deputetët në Parlament votuan për shkarkimin e Yanukovych ditën e shtunë, teksa vendndodhja aktuale e tij është e panjohur, edhe pse raportohet se ai është parë në gadishullin e Krimesë, në Detin e Zi, ditën e diel.

Rusia ka thirrur gjithashtu ambasadorin e saj në Ukrainë, për t’u konsultuar rreth situatës.

* Trazirat në Ukrainë nisën në Nëntor, kur Yanukovych refuzoi të nënshkruante një marrëveshje historike për Stabilizim-Asociimin dhe Tregtinë e Lirë me BE-në, në favor të forcimit të marrëdhënieve me Rusinë.

Medvedev, i cituar nga agjencitë ruse të lajmeve, sugjeron se pranimi i autoriteteve të reja të Ukrainës nga vendet e Perëndimit është një gabim i madh.

“Legjitimiteti i një numri të madh organesh pushteti, që funksionojnë tani atje, ngre dyshime të mëdha”, tha ai. “Por, disa nga partnerët tanë të huaj, Perëndimorë, mendojnë ndryshe. Kjo është një lloj lajthitjeje e perceptimit, kur njerëzit quajnë legjitime atë që duket esencialisht si një kryengritje e armatosur”.

Ai shtoi se “Ne ende nuk po arrijmë të kuptojmë se çfarë do të ndodhë atje. Ka një rrezik real që i kanoset interesave tona dhe jetëve të qytetarëve tanë atje”.

Ministri i Jashtme ukrainase iu përgjigj menjëherë komenteve të Medvedev, sa i përket qytetarëve rusë në Ukrainë, duke thënë se shqetësimet e tij janë “të pabazuara”.

Gjithsesi, Ministria e Jashtme ruse lëshoi një tjetër deklaratë të ashpër, duke thënë se “një ndryshim pushteti me forcë” ka ndodhur në Ukrainë dhe akuzohen liderët e përkohshëm për miratimin e ligjeve të reja, “që synojnë shkeljen e të drejtave humanitare të rusëve, apo të minoriteteve të tjera etnike atje”.

“Një kurs është vendosur në drejtim të shtypjes së disidentëve në rajone të ndryshme të Ukrainës, nga mjete diktatoriale apo ndonjëherë edhe terroriste”, lexohej në deklaratë. Megjithatë, aty nuk jepeshin detaje të mëtejshme.

* Të dielën, Parlamenti i Ukrainës reduktoi statusin zyrtar të gjuhës ruse, duke anuluar një ligj të sjellë nga Yanukovych gjatë pushtetit të tij. Në Kiev ka qenë edhe shefja për marrëdhëniet me Jashtë e BE-së, Catherine Ashton, për të diskutuar mbështetjen financiare dhe politike për liderët e rinj të Ukrainës.

Ukraina po përballet me falimentin, teksa huaja e premtuar nga Rusia ka gjasa të mos jepet.

Ashton vizitoi sheshin e Pavarësisë, skenën e përplasjeve vdekjeprurëse mes protestuesve dhe policisë, dhe zhvilloi bisedime me presidentin e përkohshëm Olexander Turhchynov.

Të hënën, presidenti francez, Francois Hollande, i telefonoi homologut të tij rus, Vladimir Putin, për të nxitur një tranzicion në paqe të Ukrainës.

Në një deklaratë të zyrës së Hollande, ai theksonte gjithashtu “rëndësinë e sigurimit të unitetit dhe integritetit territorial të vendit”.

Presidenti amerikan, Barack Obama, dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kanë dhënë mesazhe të ngjashme gjithashtu për Putin, gjatë ditëve të fundit.

Të hënën, SHBA-të thanë se janë gati të japin mbështetje financiare për Ukrainën, në mënyrë që të sigurohet në të ardhmen një kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

* Më herët, ministri i Brendshëm, i përkohshëm, Arsen Avakov, tha në Facebook se një hetim kriminal është nisur kundër Yanukovych dhe zyrtarëve të tjerë, në lidhje me “vdekjet masive të qytetarëve paqësorë”.

Ai tha se Yanukovych ishte parë në Balaklava të gadishullit të Krimesë, të dielën.

Ndërkaq, ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko, e sapoliruar nga burgu ditën e shtunë, ka refuzuar të bëhet kryeministrja e re e vendit. Partia e saj “Atdheu” ka njoftuar se ka pranuar një ofertë për trajtim mjekësor të saj në Gjermani.

Ministria e Shëndetësisë së Ukrainës tha se 88 njerëz, shumica protestues anti-Yanukovych por edhe policë, rezultojnë tashmë të vrarë nga përplasjet e javës së kaluar.

Mijëra njerëz vijojnë të mbeten në sheshin kryesor të Kievit, “Maidan”, apo sheshi i Pavarësisë.

Top Channel