Tre të rinj nga Durrësi, Puka dhe Tirana janë arrestuar si autorë të
dyshuar të dhjetra vjedhjeve të ndodhura muajt e fundit në tre qytete të
vendit.

Policia e Durrësit ka bërë të mundur zbardhjen e dokumentimin me prova ligjore të një numri të konsiderueshëm vjedhjesh të ndodhura në Durrës nga grupi i të rinjve, i njohur për përvojë të posaçme veçanërisht në vjedhjen e lokaleve të tregëtisë nëpërmjet hapjes së qepenave të tyre, si dhe vjedhjes së motoçikletave nëpërmjet një mekanizmi të prerjes së fijeve elektrikë.

Vjedhjet janë realizuar në harkun kohor të tre muajve të fundit, ndërsa policia gjatë operacionit “Trekëndëshi” ndaloi nën akuzën e vjedhjes në bashkëpunim 18-vjeçarin Thanas Paloka, banues në Pukë, i dënuar më parë për vjedhje, 21-vjeçarin Edmir Cumraku nga Durrësi, si dhe Martin Vocrrin, 19 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.

Tre të ndaluarit kanë vjedhur mbi 23 dyqane, ndërsa në qytetin e Tiranës 12 motoçikleta, të cilat i kanë shitur më pas në Durrës dhe Lushnje kundrejt vlerës 15- 30.000 lekë. Ndërkohë produktet ushqimore të vjedhura në shumë njësi tregtare janë shitur prej tyre në zonën e plazhit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pjesë e mallrave të vjedhura ditët e fundit, si dhe disa vegla e paisje që përdoreshin për hapjen e qepenave të dyqaneve dhe ndezjen e motoçikletave.

Top Channel