Gjatë një interviste për Top Channel, ish-Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama e konsideroi vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në kundërshtim me ligjet dhe kuadrin ligjor.

Duke pasur parasysh edhe deklaratat e disa muajve më parë të presidentit Bujar Nishani, në rolin e kreut të KLD, i cili u pozicionua kundër rikthimit të saj në gjyqësor, zonja Rama e konsideroi këtë vendim si të paralajmëruar dhe politik.

“Arsye politike, nuk gjej asnjë argument ligjor, që të justifikojë mbajtjen pezull të kërkesës sime. Ligji shpreh qartë se Prokurori i Përgjithshëm, në përfundim të mandatit, kthehet në detyrën e mëparshme si gjyqtar Apeli, ose në një detyrë të barazvlefshme me të. Kjo ka qenë një çështje e mbajtur pezull për një vit. Unë i jam drejtuar Presidentit, Ministrit të Drejtësisë, për të futur çështjen time në rendin e ditës. Vetëm Ministri i Drejtësisë ka kërkuar futjen e çështjes sime në rendin e ditës”, tha Ina Rama.

Pyetjes se, a është vënë drejtësia në vend për çështjet e mëdha dhe të bujshme, si dosja Durrës-Kukës, Gërdeci dhe 21 Janari, ish-Prokurorja e Përgjithshme u përgjigj:

“Gjykatat nuk na kanë mbështetur. Në cilësinë e ish-Prokurorit të Përgjithshëm duhet të them se drejtësia nuk është vënë në vend. Nuk besoj që gjykatat kanë rrëzuar për shkak të mangësisë së punës së Prokurorisë. Kanë qenë çështje komplekse, me ngarkesa politike, ku Prokuroria ka mbetur e vetme. Me një vullnet politik tjetër mund të kishim rezultate të tjera. Megjithatë, vendimmarrja e gjykatës nuk lidhet me punën e Prokurorisë”, shtoi ish-kryeprokurorja Rama.

Ish-Prokurorja e Përgjithshme tha se çështja e “21 janarit” mbetet në vlerësim të Gjykatës së Lartë, por për pjesën tjetër që është nën hetim, zonja Rama u bashkua me idenë e ekspertizës së huaj.

“Është çështje duke u hetuar. Një pjesë e çështjes që është në Prokurori mund të ketë asistencë të prokurorëve të huaj. Është sfiduese si ide, por ndoshta ka nevojë që të ndihmohemi konkretisht nga ekspertë të huaj”, përfundoi zonja Rama.

*** Intervista e Plotë ***

Këshilli i Lartë i Drejtësisë refuzoi kërkesën e ish-kryeprokurores Ina
Rama, me një karrierë shtatë-vjeçare në radhët e gjyqësorit dhe pesë
vjet të tjerë si Prokurore e Përgjithshme, që t’i rikthehej detyrës si
gjyqtare në Apelin e Tiranës, pas një mbledhjeje maratonë që zgjati mbi
dy orë.

Kërkesa e zonjës Rama është bërë që në janarin e vitit të kaluar, por ajo vetëm tani është marrë në shqyrtim. Për të folur për këtë vendim të KLD-së, në studion e edicionit qendror informativ në Top Channel ishte e ftuar vetë ish-kryeprokurorja.

Ilir Paço: Si e shihni rrëzimin e kërkesës tuaj për t’u kthyer në gjyqësor?

Ina Rama: Duke dashur ta përmbledh është një vendimmarrje në kundërshtim me ligjet dhe gjithë kuadrin ligjor të këtij vendi. Kam prezantuar që në janarin e vitit që shkoi kërkesën për t’u rikthyer gjyqtare në Apel, një kërkesë e prezantuar në KLD dhe me dijeni të Presidentit për shkak të kompetencave që ka Presidenti në përcaktimin e rendit në KLD. Kam qenë në pritje në gjithë këtë kohë që kjo kërkesë e imja të futet në një nga mbledhjet e radhës të KLD.

Ilir Paço: Përse mendoni se e ka mbajtur kaq gjatë jashtë rendit të ditës KLD?

Ina Rama: Arsye politike, nuk gjej asnjë argument ligjor që të justifikojë mbajtjen pezull të kërkesës time. Ligji shpreh qartë se Prokurori i Përgjithshëm në përfundim të mandatit kthehet në detyrën e mëparshme si gjyqtar Apeli ose një detyrë të barazvlefshme me të. Kjo ka qenë një cështje e mbajtur pezull për një vit. Unë i jam drejtuar Presidentit, Ministrit të Drejtësisë për të futur cështjen time në rendin e ditës. Vetëm Ministri i Drejtësisë ka kërkuar futjen e cështjes time në rendin e ditës.

Ilir Paço: Cilat janë hapat që do të ndërmerrni apo planet tuaja tani e tutje pas këtij votimi?

Ina Rama: Do të më duhet ta mendoj këtë gjë. Do të marr hapat që do shikoj të përshtatëshme, por më duhet kohë për këtë sepse nuk jam gati sepse shpresoja që KLD do vepronte në përputhje me ligjin.

Ilir Paço: Keni qenë kryeprokurore dhe keni patur në duar cështjet më të bujshme: dosjen Durrës-Kukës, dosjen Gërdeci apo edhe 21 Janarin. A mendoni se drejtësia është vënë në vend për këto cështje?

Ina Rama: Në kohën që ne kemi ngritur akuzën kemi shprehur qëndrimin tonë final për këto cështje dhe gjykatat kanë mbajtur qëndrimet e tyre. Gjykatat nuk na kanë mbështetur. Në cilësinë e ish-Prokurorit të Përgjithshëm duhet të them se drejtësia nuk është vënë në vend. Nuk besoj që gjykatat kanë rrëzuar për shkak të mangësisë të punës së prokurorisë. Kanë qenë cështje komplekse me ngarkesa politike ku prokuroria ka mbetur e vetme. Me një vullnet politik tjetër mund të kishim rezultate të tjera. Megjithatë vendimmarrja e gjykatës nuk lidhet me punën e prokurorisë.

Ilir Paço: Si e shihni propozimin për një prokuror apo një grup prokurorësh të huaj për 21 janarin?

Ina Rama: Është cështje duke u hetuar. Një pjesë e cështjes që është në prokurori mund të ketë asistencë të prokurorëve të huaj. Është sfiduese si ide, por ndoshta ka nevojë që të ndihmohemi konkretisht nga ekspertë të huaj.

Ilir Paço: Reforma në drejtësi ku mendoni se duhet të nisë më parë, nga prokuroria apo gjykata?

Ina Rama: Nuk mendoj që duhen vecuar problemet, duhen parë të lidhura në mënyrë integrale. Nëse do përcaktojmë momentet më thelbësore, e gjitha kjo duhet t’i nënshtrohet një procesi ekspertësh, politikanësh në cdo aspekt për të parë se ku çalon dhe kush është defekti kryesor. Motivimi dhe mbështetja e elementeve pozitivë që ekzistojnë duhet të jetë e para.

Top Channel