NDUE DEDAJ – Dy vetëvrasje në një natë. Mu në kryeqytetin shqiptar. Një
burrë dhe një grua, njëri në Babrru dhe tjetra në Kamzë i kanë dhënë
fund jetës. Ky është lajmi i mëngjesit. Shkaku mendohet të jetë
depresioni, vënë në dukje burimet policore dhe mediat.
Për viktimën burrë thuhet se ishte nga Kukësi dhe kishte ardhur atë natë te të afërmit, dhe se kishte vite që vuante nga depresioni, madje ishte kuruar disa herë, por së fundi e kishte ndërprerë mjekimin, kurse për viktimën grua dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një depresioni në fazën fillestare. Por lajme me persona të dëshpëruar që kanë përjetuar trauma jetësore me fund të hidhur ka në vazhdimësi. Skena e krimit për shkak të depresionit nuk ka kursyer fëmijë, të moshuar, madje as prindërit e vetë të sëmurëve. Rasti më i fundit është ai i një djali në një fshat të Librazhdit që vrau të atin, “me thikë në zemër”(!) nuk harrojnë të saktësojnë kronikat e shtypit, a thua se ky detaj ka ndonjëfarë rëndësie. Ngjarje nga më të rëndat kësolloji kanë ndodhur në Shkodër, Peshkopi etj., vite më parë nga të ashtuquajtur “monstra”, që u kanë marrë jetën disa vetëve deri sa janë kapur nga policia. Mirëpo duket se të gjitha këto janë arkivuar në harresë, duke u konsideruar si sporadike dhe jo një dukuri që e kemi të vështirë të pranojmë. Jo, tashmë duhet shqiptuar fort, depresioni vret përherë e më shumë dhe neve si shoqëri na duhet ta ndalim këtë të keqe. Jo vetëm duke i bërë sytë katër, që do të ishte njëra anë, por duke krijuar profilaksinë e nevojshme shëndetësore, ligjore e sociale. Kemi mbetur në lajmërimin e rasteve, njëri pas tjetrit, por askush nuk mund të thotë se sa për qind e krimeve kundër njeriut janë kryer nga individë me probleme mendore, që tani mund të jenë të qetë e pas pak agresivë. “Një i sëmurë mendor në qytetin B. është kapur nga policia me një automatik kallashnikov, një pistoletë dhe një granatë luftarake poshtë rrobave”, njoftohet nga mediat. Mjafton kaq për të kuptuar sa i rrezikuar është rendi publik, rrugët ku lëvizin njerëz, shkollat plot me fëmijë, dyqanet me blerës etj., kur një person i tillë qarkullon lirisht me armë e municion në publik. Ai nuk ka faj për atë që mund të ndodhë, pasi nuk është i përgjegjshëm, faji është yni që nuk sinjalizojmë pranë institucioneve shtetërore e qendrave speciale, që secili të bëjë atë që duhet. Kjo kategori nuk trajtohet me rregullsi klinikisht dhe sociologjikisht. Mjaft familjarë nuk njoftojnë në institucionet përkatëse, për të mos u përfolur nga mjedisi ku rrojnë, opinioni, siç thuhet. Edhe nxënësit e shkollave nuk vizitohen e mjekohen, për shkak të kësaj mendësie të prindërve. Një psikolog shkruan se “turbullimi mendor është shumë i vështirë për t’u kuptuar, por dhe për t’u pranuar, le pastaj për t’u kuruar”. Jemi një shoqëri me komplekse të së shkuarës, që nuk duam ta pranojmë të vërtetën kur ajo është e hidhur. Vërtet që në kuadrin e shërbimit psikosocial në shkolla kërkohen të dhëna të specifikuara për nxënësit “me nevoja të veçanta”, paçka sa bëhet për ta, por kjo nuk ndodh në botën e të rriturve, a thua se sëmundjet mendore prekin më shumë të vegjlit(!?), kur duhet të jetë e kundërta. Nuk dimë të ketë ndonjë institucion që merret me identifikimin zyrtar të njerëzve me depresion. Duke mos u evidentuar të rriturit me probleme të tilla, ata nuk ekzaminohen, nuk kurohen, për rrjedhojë dhe nuk frenohen. Depresioni nuk është një sëmundje që prek vetëm të varfrit, të panjohurit, ai jo më pak është një sëmundje zotërinjsh e VIP-ash, ku historikisht ka prekur njerëz të shquar, artistë të famshëm të Hollivudit, shkrimtarë nga më të përmendurit e njerëzimit, udhëheqës shtetesh të dëgjuar, bankierë të mëdhenj, filantropë etj. Terri në të cilin qenë zhytur shpesh pati qenë gjenial për veprën e tyre, si në rastin e Dostojevskit etj. Depresioni sot mund të shërohet si çdo sëmundje fizike. Psikiatërit e kanë përcaktuar qartë përmbajtjen e tij, si diçka që ka anën biologjike, por dhe anën psikosociale. Janë krizat e rënda që ka kaluar shoqëria shqiptare, familja, individi të mbarsura me stres, ankth, frikë, makthe, pasiguri për të ardhmen. Janë humbjet e natyrave të ndryshme që kanë çuar në akumulim stresi e depresion. Një njeri normal të nesërmen e humbjes së parave në “piramidat” u gdhi tjetërsoj dhe nuk dihet në e mori më veten. Ashtu siç vitet e fundit kemi humbur për shkak të depresionit shkrimtarë, arkitektë etj. Jemi të gjithë nga pak në faj për depresionin e dikujt pranë nesh, pasi hyjmë dhe ne në faktorët socialë, me veprimin apo mosveprimin tonë. Plagët e rënda të tranzicionit kanë krijuar trauma psikosociale me pasoja rrënuese, si ngjarjet e ‘97-s, situatat e tensionuara politike, trafiqet e paligjshme të prostitucionit, lëndëve narkotike etj., krimi i organizuar, gjakmarrja, krizat familjare etj.
Askujt nuk i shkonte mendja se “vrasësi me pagesë” killer do të shndërrohej në një proces kaq të bujshëm në vitin 2014, dhe se njihet si “zeje” e hershme, duke dëshmuar se sa i egër dhe i sofistikuar është krimi kundër personit në kohën moderne, shpesh i kryer me metodat e së shkuarës. Mirëpo po kaq jetë njerëzish po merr dhe depresioni, ky “vrasës” pa pagesë. Dhe ne reagojmë thuajse vetëm kur agresiviteti shpërthen si minë duke lënë pasoja në publik, (vetë)vrarë a lënduar njerëz, por nuk veprojmë energjikisht për ta parandaluar atë në kohë. Asgjë nuk mungon nëse institucionet përkatëse e marrin seriozisht këtë gjë, ekzistojnë mënyrat e mjetet, ekspertët e kualifikuar etj. Në paketën e re të masave për qarkullimin rrugor që pritet të shkojë në Kuvend, krahas vizitës te mjeku të drejtuesit të automjetit, është paraparë dhe leja e psikologut. Kështu, hap pas hapi mund të mbërrihet te kujdesi ndaj njeriut me depresion e probleme të tjera të ngjashme. Se nuk është vetëm nxënësi “me nevoja të veçanta”, por dhe mësuesi i tij që ka nevojë për kurim e trajtim psikiatrik, nuk është vetëm pacienti, por dhe mjeku që i shërben te kryet, nuk është vetëm qytetari i thjeshtë, por dhe zyrtari a funksionari shtetëror, nuk është vetëm besimtari, por dhe prifti apo hoxha që lutet e falet për të. Ka sigurisht dhe politikanë e burra shteti që vuajnë nga depresioni, por ata shpesh etiketojnë njëri-tjetrin mendërisht nga foltorja e Kuvendit, duke i përmendur “ilaçet” shoqi-shoqit, në vend që t’i shërbejnë misionit qytetërues e strategjibërës që ka politika në këtë mes. Ka institucione të posaçme, spitale psikiatrike, klinika terapie, qendra të specializuara për trajtimin e të sëmurëve mendorë, por këto ngjajnë të “mbyllura” për opinionin, nuk hyn njëherë kamera në to për të parë se ç’bëhet, jo për kureshtjen cinike të ndokujt e as për të zbuluar anën konfidenciale të gjërave, por për të kuptuar se si funksionojnë institucione të tilla, që historitë e ndodhura disave t’u vijnë në ndihmë të tjerëve. Psikiatrit, psikologët dhe sociologët më tepër se në debatet publike, përvojat e tyre i përshkruajnë në librat e zanatit për studentët etj. Pedagogjia speciale është disiplina që na mëson se si mund të integrohen pa kurrfarë diferencimi (le pastaj denigrimi) fëmijët me nevoja të veçanta, aftësi të kufizuara, qofshin ato dhe mendore, pamore, dëgjimore, pa krijuar lëndim tek ata. Humanizmi nuk duhet të mbetet një slogan. Ashtu si, veç trajtimit mjekësor të pandërprerë të personave me probleme, është e nevojshme dhe marrja e masave mbrojtëse, pasi prej tyre janë kryer vrasje, përdhunime etj. Vërtet ka antidepresantë që merren në farmaci për të sëmurë të tillë, por “antidepresanti” më i madh është familja, institucionet, shoqëria që duhet të dijë të sillet me njerëzit e kësaj kategorie. Një gjë nuk duhet harruar, asnjëherë depresioni nuk është larg meje, larg teje, nuk është i taksuar vetëm për ata të tjerët. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë në një studim të sajin, se 33 për qind e shqiptarëve vuajnë nga depresioni dhe në këtë shifër janë dhe mjaft nga ne që e mbajmë veten për të shëndoshë në këtë anë. Është natyrisht një problem i përbotshëm, një sëmundje e shekullit, do të thoshim. Mendohet se një në katër anglezë e ka një përvojë në jetë me depresionin. Veçse kujdesi maksimal bën që njeriu ta fitojë betejën me depresionin, ta rifitojë vetveten. Në vende të zhvilluara ka nga ata që kanë filluar t’i tregojnë përvojat e tyre, madje të bëhen njerëz publikë me përpjekjet e tyre për të krijuar një tjetër klimë sociale në këtë lëmë. Është për t’u respektuar e dëgjuar dhe ndonjë profesor yni që ka shkruar libra nisur nga ndonjë rast familjar, si shenjë e emancipimit të elitave dhe publikut.
Gazeta “Shqip”
Top Channel