Ukrainë, Turchynov presidenti i ri

23/02/2014 13:45

Parlamenti i Ukrainës zgjodhi kryetarin e tij si president i përkohshëm, në një votim të realizuar ditën e dielë. Oleksandër Turchynov shndërrohet kështu në liderin e ri të vendit, pasi
presidenti Viktor Yanukovych u shkarkua  gjatë së shtunës.

Turchynov ka kohë deri të martën për të formuar një kabinet të ri të pajtimit kombëtar, i cili do të udhëheq vendin derinë mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme. Parlamenti votoi gjithashtu për sekuestrimin e një vile luksoze të Yanukovych në kryeqytetin Kiev.

Vendndodhja e Yanukovych, i cili e konsideroi votën e Kuvendit për shkarkimin si një “grusht shteti” mbetet për momentin e paqartë.
Mijëra protestues mbeten në Sheshin e Pavarësisë, ku atmosfera raportohet e qetë.

Në disa javë protestash kundër Yanukovych, i cili refuzoi një marrëveshje tregtare me Bashkimin Europian për t’u lidhur më ngushtë me Rusinë, të paktën 128 persona mbetën të vrarë, ndërsa disa godinave qeveritare iu vendos zjarri.

Top Channel