Tajlandë, sulme vdekjeprurëse, 2 viktima

23/02/2014 00:00

Dy persona kanë mbetur të vrarë dhe mbi 20 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim pranë një tubimi anti-qeveritar të opozitës, në kryeqytetin e Tailandës, Bangkok.

Një djalë i moshës 12 vjeç dhe një grua 40-vjeçare, ndërruan jetë menjëherë pas sulmit në qendrën tregtare “Central World”, bëjnë të ditur zyrtarët.

Shpërthimi ndodhi vetëm pak orë pasi një i armatosur hapi zjarr ndaj një tjetër tubimi anti-qeveritar në Tailandën lindore, duke vrarë një vajzë 5-vjeçare.

Kryeministrja e Tailandës, Yingluck Shinawatra, dënoi sulmet duke i përshkruar ato si “akte terroriste për përfitime politike”. Ai tha se qeveria e saj nuk do të tolerojë terrorizmin, si dhe urdhëroi një hetim të plotë të ngjarjeve.

Tensionet anembanë Tailandës janë përshkallëzuar, që pas protestave anti-qeveritare të nisura në Nëntor.

Demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e Yingluck dhe krijimin e një qeverie të përkohshme, por ajo ka refuzuar.

Javën e kaluar, disa persona u vranë në përplasjet në Bangkok, kur policia nisi të spastronte vendet e protestave.

Një nga liderët e protestave, Sathit Wongnongtoey, tha se shpërthimi i së dielës në qendër të Bangkokut u shkaktua nga një granatë. Vendngjarja e shpërthimit ndodhet pranë një selie të Komitetit të Reformave Demokratike Popullore, ku janë mbajtur protesta, në rajonin e Ratchaprasong.

Top Channel