Sa shumë i duam romët

23/02/2014 00:00

FATOS BAXHAKU – Hera-herës, në pushim “të ndeshjes” mes lajmeve të politikës dhe kronikës së zezë, shfaqen edhe lajme mbi romët.

Zakonisht bëhet fjalë për ndonjë sherr mes tyre dhe pronarëve të vjetër e të rinj të tokave apo për ndonjë situatë alarmante në breg të ndonjë lumi. Më rrallë për ndonjë seminar, ku flitet për dhunën që ushtrojnë meshkujt romë ndaj grave të tyre apo për varfërinë e çadrave të tyre. Vetëm kaq, pastaj romët dalin nga ekrani dhe ridalin sërish në rrugë duke lypur apo duke rrëmuar në kazanët e plehrave të qyteteve të mëdha. Një stacion lokal që transmeton në gjuhën e tyre në Korçë, është i dobët që të shihet ngado dhe kështu që shumica jonë për romët di vetëm se janë pjesa më e varfër e shoqërisë sonë edhe kështu të varfër, se shumica e tyre jetojnë me të lypur apo as ata vetë nuk e dinë se si, se flasin një gjuhë që për në “gaxhinjtë” është e pakuptueshme, se kanë lëkurë të zeshkët dhe u pëlqen të veshin rrobe shumëngjyrëshe, se fëmijët e tyre në pjesën më të madhe nuk shkollohen si të tjerët anë e kënd vendit, se gratë e tyre dinë të shtien fall, se banojnë ndër tenda apo baraka të improvizuara në anë të lumenjve… Me një fjalë pak. Dhe mosnjohja, injoranca nuk ka se si të mos krijojë keqkuptime që shkojnë deri në marrëzinë e inateve racore.

Këtij informacioni të paktë i është shtuar edhe një tjetër, më zyrtar. Nga shumica jonë tashmë është kuptuar se përmirësimi i jetës së romëve është një ndër detyrat që Europa u ka vënë qeverive tona, lidhur me kërkesën tonë për anëtarësim në BE. Madje, para disa kohësh, përfaqësuesi i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, foli gati-gati me indinjatë të hapur kur na kujtoi se Shqipërisë vetëm për këtë problem i janë dhënë miliona euro!

Me dhjetëra OJQ, të mëdha e të vogla, me dhjetëra komisione lokale e kombëtare, shumë ekspertë vendas e të huaj janë marrë prej vitesh me këtë çështje, e megjithatë ata janë ende atje, të mbytur nga varfëria dhe mungesa e shpresës, në shumicën e rasteve të harruar në minikampet e tyre, që për dreq të kujtojnë një lloj rezervati ku nuk shkel këmba e të bardhit. Cili është problemi. Përse nuk arrijmë të rregullojnë apo të paktën të normalizojmë një pjesë tonën? Pyetja mund të shtrohet edhe ndryshe: A duam vërtet ne t’i ndihmojmë romët? A i pranojmë ne ata realisht si pjesë të së përditshmes sonë?

Sikurse e thamë që në fillim të këtij shkrimi, mbi ta ekziston një injorancë masive. Ende të ushqyer nga paragjykime që vijnë nga kohërat, ne, edhe kur i ndihmojmë, vazhdojmë t’i trajtojmë ata si qytetarë të dorës së tretë, shumë herë të pakorrigjueshëm, si një pjesë e jona, e cila ka vendosur të jetojë gabim, e pikërisht andaj na prish sytë dhe na shëmton imazhin tonë të mrekullueshëm. Në shumicën e rasteve ne i trajtojmë ata si një telash që na zuri teksa kemi halle edhe më të mëdha dhe si një detyrë shtëpie të cilën “mësuese” Europa këmbëngul ta bëjmë mirë. Po ne sigurisht që do t’ia hedhim paq edhe këtë herë. E cili prej nesh nuk e ka thënë të paktën një herë atë justifikimin e famshëm: Harrova fletoren në shtëpi o zysh!

Ka ende shumë njerëz që mendojnë, madje ndokush edhe është shprehur me gjak të ftohtë, se problemi nuk qëndron te shoqëria shqiptare, por te romët vetë. Sipas këtyre mendjeve të kalkuluara, këta, duke qenë një popull që prej shekujsh ka çuar një jetë nomade, madje edhe duke u zhvendosur përmes kufijve shtetërorë, nuk e kanë edhe shumë qejf disiplinën e ligjit, gjendjen civile, vaksinimin dhe kërkesat e tjera që pashmangshmërisht shoqërojnë progresin. Mund të ketë një fillesë logjike në këtë gjykim, një fillesë që lidhet edhe me eksperienca të dështuara në sisteme të kaluara, porse ky është gjykimi më cinik i mundshëm për një shoqëri që pretendon të jetë moderne.

E kemi një rrugë që t’i lëmë romët të harruar në vuajtjen e tyre dhe njëkohësisht të mos hyjmë në një qorrsokak përdëllimtar, që veç të tjerash na qenka edhe fort i kushtueshëm. Si për shumë gjëra të tjera, kjo rrugë është njohja. Njohja e ndërsjellë do të na bëjë me dije se në ndryshueshmërinë tonë qëndron edhe ngjashmëria jonë. Bëjmë jetë të ndryshme, flasim gjuhë të ndryshme, kemi profesione të ndryshme? Po kjo është më e bukura! Ja përse duhet të duhemi.

Dhe këtu duhet të hyjmë në fushë ne të mediave. Romët nuk duhet të na kujtohen vetëm kur protestojnë apo kur me ta merret Avokati i Popullit apo Sequi. Nuk duhet të na bëjë përshtypje fakti që ndryshe nga të gjithë ata, në vend që të kërcënojnë me grevën e urisë, kërcënojnë se do të mbyten në lumë me gjithë fëmijë. Tashmë duhet ta dimë se ushqimi për ta është vetë uria e përditshme. Pastaj, cili prej nesh i ka transmetuar ndonjëherë publikut origjinën, historinë, gjuhën, traditat, organizimin e tyre shoqëror, folklorin, legjendat e tyre të mrekullueshme? A jemi marrë ndonjëherë gjatë me Ederlezin (festën e tyre të verës)? Rrallë, shumë rrallë. E kështu injoranca, padija ka bërë që t’u hapet rruga paragjykimeve të vjetra në vend të një miqësie mes dy miqve të kahershëm. Dhe meqenëse e gjithë marrëdhënia është ngritur ose mbi një humanizëm të momentit e shumë herë të shtirur e propagandistik, që shuhet shpejt, ose mbi një telash që shoqëria nuk e ndien ende si krejtësisht të vetin, madje që e ka një lloj ferre të bezdisur nëpër këmbë. E tashmë dihet se ç’bëhet me një ferrë që të sillet rrotull. Thjesht pritet për të rënë rehat.

Ca më lart shkruam për njohjen e ndërsjellët mes nesh dhe romëve. Veç mediave, kultura është një rast tipik se si arti i bërë bashkë me dijen i bëjnë popujt më të mirë e më të shkueshëm. Fadil Hasa i “Mao Ce Dunit” të Besnik Bishës apo romi i “Portokallisë”, janë shembujt më pozitivë në këto vitet e fundit. Por si shumë gjëra të tjera të mira ndër ne, edhe këto kanë mbetur përjashtim në mes të grisë së përgjithshme.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA