Egjipt, Morsi, akuza për spiunazh tek Irani

23/02/2014 00:00

Prokurorët egjiptianë akuzojnë presidentin e rrëzuar Mohammed Morsi, se ka nxjerrë sekretet shtetërore ndaj Gardës Revolucionare të Iranit. Akuza u bë e ditur gjatë seancës së dytë të gjyqit të tij, për akuzat e spiunazhit.

Prokurorët akuzojnë se ai dhe 35 anëtarë të tjerë u përfshinë në një komplot për të destabilizuar Egjiptin. Në vazhdim, gjyqi u shty për më 27 Shkurt, ndërkohë që ish-lideri islamik i rrëzuar përballet me 4 gjyqe të ndara.

Mbështetësit e Morsi-t thanë se ai dhe liderët kryesorë të Vllazërisë Muslimane janë viktima të hetimeve bazuar mbi motive politike.

Gjyqi mbi akuzat për spiunazh nisi më 16 Shkurt dhe të dielën prokurorët arritën të detajonin akuzat ndaj Morsi-t, por edhe të pandehurve të tjerë. Ata akuzohen specifikisht për “dhënien ndaj një vendi të huaj… sekrete të mbrojtjes kombëtare dhe dorëzimin e raporteve të sigurisë ndaj Gardës Revolucionare Iraniane, në mënyrë që të destabilizohej siguria dhe stabiliteti i Egjiptit”, bën të ditur agjencia e lajmeve AFP.

Deklarata, e lexuar në gjykatë, nuk e identifikon në fakt “vendin e huaj”.

Morsi akuzohet gjithashtu se ka bashkëpunuar me lëvizjen palestineze, Hamas, si dhe lëvizjen libaneze, Hezbollah. Nëse ai shpallet fajtor mund të përballet me dënimin me vdekje.

Gjatë seancës së të dielës, Morsi u mbajt i ndarë nga të tjerët, në një kafaz të qelqtë të papërshkueshëm nga zëri, në mënyrë që të shmangej mundësia që ai të bërtiste apo të ndërpriste procesin gjyqëzor.

Morsi u rrëzua nga ushtria korrikun e vitit të kaluar, pas protestave masive në rrugë kundër qeverisjes së tij. Që prej atëherë, ka pasur disa përplasje dhe mësymje ndaj Vllazërisë Muslimane, ashtu si dhe ndaj aktivistëve të tjerë që shihen si armiqësorë ndaj qeverisë së mbështetur nga ushtria.

Vllazëria Muslimane u deklarua më vonë një organizatë terroriste dhe autoritetet kanë dënuar çdo shfaqje publike në mbështetje të tyre.

Top Channel