Venezuelë, Maduro fton Obamën për bisedime

22/02/2014 00:00

Gjatë një konference për shtyp gjatë së premtes, Maduro ftoi presidentin Obama të takohet për bisedime me të.

“Prano sfidën, për të nisur dialogun e nivelit të lartë, që do të hedhë dritë mbi të vërtetën”, tha ai.

Maduro akuzon sektorët konservatorë në SHBA, përfshi edhe organizatat mediatike të tyre, se po komplotojnë kundër qeverisë së tij.

Dialogu me SHBA-të do të jetë “i vështirë dhe kompleks”, tha Maduro, deri sa qeveria amerikane të pranojë “autonominë e plotë dhe pavarësinë e Amerikës Latine”.

Venezuela revokon akreditimet e CNN

Ndërkohë, Venezuela ka anuluar apo mohuar kredencialet e shtypit për gazetarët e
CNN në vend, pas shpalljes së presidentit Maduro se do të përjashtonte
rrjetin mediatik amerikan, nëse ai nuk do të “korrigjonte” mbulimin e
protestave anti-qeveritare.

“Ata duan t’i tregojnë botës, se në Venezuelë ka një luftë civile”, tha presidenti Nicolas Maduro, gjatë një fjalimi televiziv të së enjtes.

Protestat anti-qeveritare janë bërë një ngjarje e përditshme në vend, teksa përplasjet me forcat e sigurisë apo mbështetësit pro-qeveritarë kanë rezultuar në të paktën 8 vdekje, sipas burimeve zyrtare.

Ajo që CNN nuk po tregon – tha Maduro, – është se “populli po punon, po studion dhe po ndërton atdheun”.

“Mjaft më me propagandë lufte. Nuk do të pranoj të tillë propagandë ndaj Venezuelës. Nëse ata nuk korrigjojnë vetveten, të largohen nga Venezuela. Po, CNN të largohet!”, tha Maduro, i duartrokitur nga audienca e tij pro-qeveritare.

Edhe njerëzit e mbledhur në tufa nisën ta mbështesnin “Fuera! Fuera!” (“Jashtë! Jashtë!”). Disa orë më vonë, zyrtarë të qeverisë njoftuan 7 gazetarë të “CNN International” si dhe versionit të CNN në spanjisht, se akreditimi i tyre mediatik është refuzuar apo anuluar.

Ekipet e CNN nga jashtë Venezuelës janë njoftuar të marrin fluturimet e të kthehen për në vendet e tyre. Maduro i përshkroi gazetarët e CNN me disa nga shprehjet e tij karakteristike, me të cilat u drejtohet edhe kundërshtarëve të tij politik.

“Një grup fashistësh duan që të na turbullojnë paqen nëpërmjet agresioneve të tyre”, tha Maduro. “Ata nuk do ia dalin mbanë dhe këtë do ua tregojmë ne”.

Anëtarët e ekipit të “CNN International”, sapo janë njoftuar për revokimin e kredencialeve të tyre, janë marrë në pyetje disa herë se kur do të largohen nga vendi. Edhe pse gazetarët priten në largohen, me detyrim nga qeveria, “CNN International” dhe “CNN en Espanol” do të vazhdojnë të raportojnë nga Venezuela.

Top Channel