Tepelenë, plagosi argjendarin, prangoset 24-vjeçari

22/02/2014 00:00

Policia e Tepelenës ka ndaluar një 24-vjeçar, i cili akuzohet për
tentativën e grabitjes me armë dhe plagosjen e një argjendari. Ngjarja
ka ndodhur në korrik të vitit 2013, ku 24-vjeçari Oltion Zeka dyshohet
se ka vjedhur me armë zjarri dyqanin e Arben Goxhajt, në qytetin e
Tepelenës.

Mesditën e 2 korrikut, një person i maskuar i është afruar dyqanit, pronë e Arben Goxhajt, i cili tregtonte në të rroba dhe bizhuteri. Nën kërcënimin e armës, i riu i ka kërkuar pronarit floririn që kishte në dyqan, por ka hasur në kundërshtimin e këtij të fundit, i cili është konfrontuar fizikisht me të.

Gjatë kësaj përleshjeje, pronari i argjendarisë është plagosur në kofshë nga një e shtënë e armës së zjarrit që kishte njëri prej grabitësve në dorë. Më pas, grabitësi është larguar me shpejtësi, me një automjet tip “Golf”, në të cilin ndodhej bashkëpunëtori i tij.

Top Channel