Procesi i Nuremburgut dhe fenomeni Gjoka

22/02/2014 00:00

MUHAMET HITO – Procesi i famshëm i Nurembergut hyri në historinë e
drejtësisë botërore si një fenomen madhor me përmasa të jashtëzakonshme,
por mbi të gjitha ai do të përmendet për përmasat humane të tij nën
thirrjen: Drejtësi për kriminelët nazistë!

Nga kjo ide humane lindi dhe u konsolidua parimi i një procesi të rregullt ligjor dhe në këtë proces u vendos guri i themelit i sistemit të sotëm të drejtësisë në botën e zhvilluar perëndimore. Arkitekti kryesor amerikan i këtij procesi, gjyqtari Robert H.Xheksën (Robert H. Jackson) ka thënë se “ne nuk duhet të harrojmë, se nga mënyra si ne do të gjykojmë në këtë proces sot, është rekordi se si historia do të na gjykojë neve nesër”.

Është pikërisht kjo arsyeja që më detyron t’i përgjigjem nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë, Elvis Çefa, dhe deklaratës së tij në media fill pas transmetimit të emisionit “Fiks Fare” më 13 janar 2014. Për lexuesit që nuk e kanë parasysh se për çfarë fliste ai emision, po sqaroj me pak fjalë, se ishte një denoncimin i bërë nga ana ime ndaj gjyqtares së Gjykatës së Tiranës, Elona Gjoka, e cila në kundërshtim me ligjin zvarrit prej më shumë se tre vjetësh një çështje gjyqësore të thjeshtë. Dokumentet e paraqitura në “Fiks Fare”, si dhe inspektimi i kryer nga KLD në bazë të denoncimit tim vërtetuan se gjyqtarja në fjalë ka shkelur të drejtat kushtetuese të shtetasve. Por ky konstatim, çuditërisht nuk ka ngjallur asnjë reagim serioz nga autoritetet që kanë për detyrë të ndëshkojnë rastet e shkeljeve të ligjit nga pjesëtarët e sistemit të drejtësisë. Përkundrazi, reagimi i KLD-së për këtë çështje është një problem më vete, po aq shqetësues sa veprimi i gjyqtares.

Pas transmetimit të emisionit “Fiks Fare”, zoti Çefa reagoi menjëherë dhe tha: “Në mënyrë të përsëritur, KLD i është drejtuar ministrit të Drejtësisë me shkresat nr.prot.1564 datë 05.11.2013 dhe nr.3276 datë 07.11.2013… Për vlerësimin e një mase disiplinore për të”. Pastaj ai thekson se “qytetari ka marrë një përgjigje zyrtare për rezultatet dhe konstatimet e kontrollit të ushtruar nga KLD…”. Duke u njohur me këtë deklaratë, çdo qytetar krijon idenë se z.Çefa dhe KLD e kanë bërë detyrën e tyre. Por faktet e mëposhtme do të bindin çdo njeri se kjo nuk është aspak e vërtetë.

Deri më sot, unë, qytetari i ankuar edhe në “Fiks Fare”, nuk kam marrë përgjigjen që duhet nga KLD. Është e vërtetë se tetë muaj pas ankesës, unë kam marrë një letër nga znj. Marsida Xhaferllari më datë 19.11.2013, me numër protokolli 1499/3. Por duke e parë dhe studiuar me shumë kujdes këtë përgjigje dhe duke u konsultuar edhe me kolegë të mi juristë, u binda se kjo nuk është përgjigjja që duhet të merrja nga KLD. Kjo është një paçavure e sajuar nga zonja Xhaferllari, kryeinspektore e KLD.

Është e rëndësishme të theksoj se ankesën unë ia kam drejtuar kryetarit të KLD, z.Bujar Nishani, dhe KLD-së si institucion dhe, ç’është më e rëndësishme, zotit Çefa i kam kërkuar personalisht që znj. Marsida Xhaferllari të mos jetë pjesë e këtij investigimi, pasi personalisht kam bindjen se kjo zonjë është një person i korruptuar (dhe kam theksuar se kam prova dhe fakte për këto që them!)

Por, nuk mora përgjigje nga kryetari i KLD, as nga nënkryetari, por pikërisht nga kryeinspektorja Xhaferllari, e cila e sajoi këtë përgjigje me urgjencë, 48 orë pas një telefonate që unë i bëra z.Çefa.

Vetë z.Çefa deklaron se janë dërguar dy shkresa me interval 48 orësh, por edhe këto shkresa janë dërguar mbas tetë muajsh heshtje nga KLD dhe konkretisht nga kryeinspektorja Marsida Xhaferllari. Këto shkresa janë dërguar disa orë përpara se të më njoftohej mua përgjigjja e ankesës nga znj.Xhaferllari.

Në ankesën time unë i drejtohem z.Nishani me ankesën për gjyqtaren Elona Gjoka, ku akuzat më serioze janë: Shkelje flagrante e së drejtës për një proces të rregullt ligjor (cenim i së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, neni 42, 42/2). Ku argumentoj me prova dhe fakte të cilat kanë siglën e gjyqtares ne aktet e këtij procesi gjyqësor, po kështu unë argumentoj me fakte se ky cenim i së drejtës kushtetuese është bërë me qëllim dhe me paramendim nga gjyqtarja, për të më lodhur, torturuar dhe më në fund për të hequr dorë nga ky proces. Shkurt, gjyqtarja më jep mesazhin se këtë proces e drejton aje dhe ajo qëndron mbi ligjin…

Unë argumentoj me prova dhe fakte se gjyqtarja ka abuzuar me detyrën, duke falsifikuar aktet e procesit gjyqësor dhe duke më mashtruar mua si qytetar. Po kështu, gjyqtarja ka vjedhur shtetin dhe qytetarët taksapagues, duke munguar në punë pa arsye. Unë e akuzoj gjyqtaren si një njeri që jo vetëm nuk respekton etikën e gjyqtarit, por me qëllim në procesverbalet e seancave gjyqësore mashtron, duke shkruar thënie jo të vërteta.

Këto janë më thelbësoret dhe unë nuk mund të them në këtë shkrim gazetaresk ato që kam deklaruar në materialin e dorëzuar në KLD, sepse janë jo më pak se njëqind faqe material i detajuar.

Mendoj se kam të drejtën morale të them se, në rast se znj. Xhaferllari, si kryeinspektore e KLD do të ndiente përgjegjësinë morale dhe ligjore për pozicionin që ka, ajo do të vinte alarmin para një akuze të tillë. Dhe në këtë rast ka dy zgjidhje: Nëse qytetari qëllimisht ngre akuza të rreme, ai duhet të përgjigjet penalisht, ose nëse akuzat provohen, gjyqtarja ndiqet penalisht. Dhe në rastin në fjalë, përveçse nga inspektimi i KLD-së janë faktuar akuzat e ngritura ndaj gjyqtares, krerët e KLD-së kanë në dorë edhe fakte të tjera që mund t’i ndihmojnë të vënë përpara përgjegjësisë ligjore gjyqtaren, pasi e njëjta gjyqtare është proceduar dhe ndëshkuar nga KLD në vitin 2006, ndërsa edhe kohët e fundit, vetë zoti Çefa deklaron se janë ngritur akuza nga shumë qytetarë në adresë të saj.

E shoh të arsyeshme t’i bëj të njohur z.Çefa se kam ndjekur rregullisht prononcimet e tij në media dhe mendoj se është e drejtë e tij të shprehë mendimin se: ka edhe gjyqtarë të korruptuar. Por, edhe sikur të pranojmë se kjo është e vërtetë, në analogji me këtë, si mjek do t’i kujtoja z.Çefa se në Romën e lashtë, kur binte murtaja, romakët i digjnin kufomat e njerëzve të sëmurë, për t’u dhënë mundësi të gjallëve të vazhdonin jetën. Pra z.Çefa, kur pranon se ka gjyqtarë të korruptuar, duhet të pranojë se ka ardhur koha që gjyqësori shqiptar të pastrohet nga plehrat dhe gjyqtarët imoralë. Por që të bëhet kjo, duhet të largohen sa më parë njerëzit e paaftë dhe juristët imoralë edhe brenda vetë KLD-së.

Duhet thënë me shumë kujdes se, kryeinspektorja e KLD-së, znj. Xhaferllari është absolutisht e pabesueshme për personin tim në investigimin e këtij procesi. Sot është fakt, (i vërtetuar në vetë përgjigjen e saj), se kryeinspektorja e KLD ka bërë një mbrojtje të padenjë të gjyqtares Elona Gjoka. Në shkresën e saj mungon arsyetimi ligjor dhe në asnjë rast nuk janë marrë në analizë akuzat konkrete, por vetëm thuhet në përgjithësi se “ka cenim të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor”, kur dihet se në Shqipëri ky cenim i së drejtës kushtetuese është prezent në mbi 80 për qind të proceseve gjyqësore.

Edhe vetë z.Çefa thotë se zgjatja e procesit gjyqësor nuk përbën arsye për të futur gjyqtaren në burg. Unë nuk ndaj të njëjtin mendim në këtë pikë, për arsyen e thjeshtë se, në rastin konkret nuk bëhet fjalë thjesht për “Zgjatje pa arsye të procesit gjyqësor”, por për zvarritje jonormale, siç është vërtetuar edhe nga kontrolli i inspektoratit të KLD. Bëhet fjalë për një periudhë kohe mbi tre vjet dhe procesi gjyqësor edhe pas 69 seancash ende nuk ka filluar. Kur ligji, siç shprehet vetë znj. Xhaferllari kërkon që procesi duhet të përfundonte në një periudhë 6-mujore, rezulton se qytetari është torturuar në dyert e gjykatës dhe gjyqtarja me qëllim ka abuzuar me detyrën dhe kjo vepër e gjyqtares është krim. Z.Çefa duhet ta dijë se krimi në gjykatë nuk kryhet me kallashnikov dhe as me tritol.

Askush nuk mund të justifikojë pesë muaj mosparaqitje e gjyqtares në seancat gjyqësore pa asnjë arsye ligjore. Të më falë z.Çefa, por duhet t’i kujtosh se edhe prostituta ka një kontratë pune me bordellon dhe natyrisht nuk mund të mungojë pa arsye në punë. Por problemi nuk është vetëm te gjyqtarja. Përpara kësaj shkeljeje flagrante dhe të provuar shkresërisht nga ana ime, kryeinspektorja e KLD-së ka heshtur për shtatë muaj me radhë dhe në fund, pas insistimit tim dhe komunikimit direkt me nënkryetarin e KLD, ajo e mbyll çështjen me një përgjigje të thjeshtë: “Z.Hito është e vërtetë se Gjyqtaria ka cenuar të drejten kushtetuese për një proces të rregullt ligjor” dhe në mbyllje thuhet “…nga ana jonë i është kërkuar Ministrisë së Drejtësisë, mundësia e një inicimi të procesit disiplinor ndaj gjyqtares…”

Jo z.Çefa, krimi nuk mund të mbulohet kështu! Në rast se nënkryetari i KLD pranon se akuza është e mbështetur në prova dhe fakte, është detyrim i tij ligjor të kërkojë jo vetëm shkarkimin nga detyra të kryeinspektores, por edhe ndjekjen penale të saj, për shpërdorim të detyrës (bazuar në nenin 248 të Kodit Penal) mbasi është i vërtetuar fakti se kjo shtetase ka heshtur (pra nuk ka vepruar) për një periudhë shtatëmujore (17 Maj 2013 deri me 5 nëntor 2013). Neni 248 i Kodit Penal përcakton qartë përgjegjësinë penale të punonjësit publik.

Akuzat e mia për gjyqtaren janë të renda, por këto veprime janë kryer personalisht nga vetë gjyqtarja, pra është ajo që duhet të përballet me ligjin, sepse me veprimet e saj ka dëmtuar rëndë interesat e mia ligjore në vendosjen e drejtësisë. Nga ana tjetër, kryeinspektorja e KLD hesht.

Përpara këtyre fakteve, unë kam të drejtën morale të pyes: Kush qëndron pas gjyqtares Elona Gjoka? Përse këta gjyqtarë imoralë vegjetojnë në gjyqësorin shqiptar, duke ecur në rrugën e krimit pa u shqetësuar dhe pa u ndëshkuar?

Është detyrimi moral dhe ligjor i nënkryetarit të KLD, të informojë personalisht Presidentin e Republikës për “fenomenin Gjoka” dhe në mbledhjen e parë të KLD t’i kërkohet ministrit të Drejtësisë si anëtar i KLD të relatojë për këtë çështje dhe të argumentojë përse edhe ai ka heshtur deri më sot.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA