Papa emëron 19 kardinalë të rinj

22/02/2014 00:00

Papa Françesku ka emëruar 19 kardinalë të rinj në një ceremoni në Romë, e para që nga marrja e drejtimit të papatit.

Korrespondentët e mediave të huaja raportojnë se përfshirja e klerikëve nga vende si Haiti dhe Burkina Faso reflekton angazhimin e Papës ndaj të varfërve.

Ish-Papa Benedikti XVI, i cili u tërhoq vitin e kaluar, ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoninë e mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Kardinalët e rinj morën kapelen tradicionale me ngjyrë të kuqe dhe mantelin gjatë ceremonisë, e cila u zhvillua në latinisht dhe sipas zakoneve të vjetra. Ata u ulën në gjunjë përpara atit të shenjtë dhe morën edhe unazën e artë që konfirmon dhe detyrën e re.

I vetëdijshëm për konfliktet e fundit në Ukrainë, Siri dhe Republikën e Afrikës Qendrore, Papa Françesku u lut për paqe dhe pajtim për popujt që po përjetojnë dhunë dhe luftra.

16 nga të zgjedhurit e rinj janë nën 80 vjeç, që është dhe limiti i moshës për të marrë pjesë në zgjedhjen e papës së ardhshëm. Kardinalët e rinj vijnë nga 15 vende të ndryshme, përfshirë këtu Spanjën, Italinë dhe Gjermaninë.

I dërguari i BBC në Romë thotë se emërimet e reja shihen si një përpjekje e pastër për të ndarë vendimmarrjen në Kishën Katolike.

Sipas tij, Papa po inkurajon kardinalët, të rinj e të moshuar, që të mendohen përtej mureve të kishës në hartimin e politikave të reja të Vatikanit.

Top Channel