
3 muaj trazira politike, 1 javë dhunë e tmerrshme dhe shkatërrimtare, vetëm pak orë “të stuhishme” negociatash…
Të gjitha këto kulmuan me një marrëveshje për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, duke zbutur fuqitë e presidentit Viktor Yanukovych, duke rishikuar Kushtetutën për të kthyer atë të mëparshmen, si dhe duke hapur rrugën për lirimin e lideres së burgosur opozitare, Yulia Tymoshenko.
Zhvillimet e së premtes i japin shpresë Ukrainës, kombit të Europës lindore të ndarë thuajse më dysh, mes përkrahësve të integrimit në BE dhe atyre që duan të qëndrojnë nën diktatin rus. Por, për sa kohë që protestuesit e irrituar nuk lëvizin nga sheshi “Maidan” i Kievit, apo i Pavarësisë, për sa kohë që ndjenjat e emocionet nuk janë zbutur dhe gjakderdhja është ende e freskët në kujtesën e tyre, kjo histori nuk mund të ketë përfunduar ende.
“Ndihem krenare për ukrainasit, sepse treguam se jemi të aftë të luftojmë për të ardhmen tonë, lirinë tonë”, tha Sophia Holotna, miku i së cilës është ndër viktimat e demonstruesve të vrarë në kryeqytet. “Por, për momentin mund të ndjej vetëm keqardhje”.
Marrëveshja, e iniciuar mesnatën e së enjtes dhe e përfunduar mbrëmjen e së premtes mes liderëve të Ukrainës, përfaqësuesve të opozitës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian, nxiti disi shpresa kur u shpall para turmës në “Maidan”.
E megjithatë, jo të gjithë protestuesit u shfaqën të kënaqur me marrëveshjen e arritur. Jo të gjithë i besojnë presidentit aktual dhe ngjarjeve që priten të zhvillohen, teksa disa prej tyre, të cilët deklaruan se nuk janë as lider, as anëtarë të grupeve politike, thjesht qytetarë ukrainas, këmbëngulën se Yanukovych duhej të jepte dorëheqjen brenda ditës së shtunë, se marrëveshja nuk ishte e mjaftueshme për shkak se nuk paguante haraçin e jetëve të humbura të qytetarëve ukrainas.
Mijëra protestues kanë qëndruar në sheshin kryesor të Kievit, edhe pse sipas marrëveshjes së arritur pritet të krijohet një qeveri uniteti, e cila do ta drejtojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme presidenciale.
Ndërkohë, presidentët e SHBA-ve dhe Rusisë kanë rënë dakord për diçka të vetme: marrëveshja duhet të implementohet sa më shpejt të jetë e mundur. Vladimir Putin raportohet t’i ketë thnëë Barack Obama-s se Rusia kërkon të jetë pjesë e procesit të implementimit, gjatë një bisede telefonike të së premtes, tha një zëdhënës i DASH.
Ndërsa presidenti ukrainas, Yanukovych, besohet të ketë shkuar në lindje të vendit, tha një zyrtar i DASH, i cili foli për reporterët në kushtet e anonimatit. Ai e karakterizoi këtë udhëtim të presidentit si “diçka jo të zakonshme”.
Top Channel