
Ish-kryeministrja ukrainase Yulia Tymoshenko është përshëndetur nga mijëra mbështetës të opozitës në Sheshin Pavarësia të Kievit, pasi më herët gjatë së shtunës u lirua nga burgu.
Ajo iu adresua turmës e ulur në një karrike me rrota. “Ju jeni heronj, ju jeni më e mira e Ukrainës”, tha ajo para turmës së madhe përpara se të shpërthente në lotë.
Ajo foli pasi presidenti Viktor Yanukovych kishte braktisur kryeqytetin ukrainas dhe Parlamenti i vendit kishte votuar për shkarkimin e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve më 25 maj. Por ajo paralajmëroi se protestuesit nuk duhet të mendojnë se detyra e tyre mbaron me kaq.
“Pa përfunduar këtë detyrë dhe pa përshkuar gjithë rrugën që kemi nisur, askush nuk ka të drejtë të largohet. Sepse askush nuk mund ta bëjë atë që bëtë ju, as vendet e tjera, askush. Ne kemi eleminuar një kancer, një tumor”, tha Tymoshenko.
Zonja Tymoshenko u lirua pas një votimi në Parlament ditën e premte që kërkonte lirimin e saj nga burgu. Ajo ishte dënuar me 7 vjet burg në vitin 2011 pas një procesi gjyqësor të diskutueshëm në lidhje me disa veprime që kishte bërë kur ishte kryeministre.
Më herët gjatë së shtunës ajo la spitalin e qytetit lindor të Kharkivit, ku ishte shtruar dhe mbikëqyrej me roje, dhe u nis për në Kiev. Ajo u tha gazetarëve në aeroportin e kryeqytetit se personat prapa akteve të dhunës “duhet të ndëshkohen”, raporton agjencia e lajmeve “Interfax”.
Ditën e enjte, që konsiderohet edhe dita më e përgjakur e trazirave të fundit në Ukrainë, të paktën 21 protestues dhe 1 polic humbën jetën.
Top Channel