Detroit, plan të ri për daljen nga falimenti

22/02/2014 00:00

Menaxheri i emergjencave të Detroitit ka dorëzuar planin për ristrukturimin e borxheve, në vazhdën e falimentimit të qytetit më të madh në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Plani, i cili pret miratimin nga një gjykatë për  falimentet, përfshin shkurtime të pensioneve dhe ndaj kreditorëve, në mënyrë që të ulet borxhi prej 18 miliardë dollarësh.

Gjithashtu, disa fonde do t’u kushtohen prishjes së pronave të braktisura të qytetit. Detroit, fillimisht e dorëzoi falimentin, në kërkim të mbrojtjes shtetërore, në Korrik të vitit 2013.

“Duhet të lëvizim shpejt për të dalë nga gjendja e falimentit, në mënyrë që ankthi financiar që ka goditur qytetin të marrë fund”, tha menaxheri i emëruar nga shteti, Kevyn Orr, në një deklaratë.

“Ne vazhdojmë të ngulmojmë se ky plan tregon rrugën më të mirë për të gjitha palët, në mënyrë që të avancohet për zgjidhjen e çështjeve respektive të tyre, por edhe që Detroit të kthehet sërish një qytet, ku njerëzit do të duan të investojnë, jetojnë dhe punojnë”, shtoi ai.

Plani për lehtësimin e borxheve përfshin specifikisht:
Kreditorët, përfshi siguruesit e obligacioneve, do të marrin sipas parashikimeve 20% të asaj që pretendojnë.
Policia dhe zjarrfikësit e dalë në pension do të marrin të paktën 90% të pensioneve të tyre, ndërkohë që kostot e kompensimeve të jetesës do të eliminohen.
Instituti i Arteve të Detroit do të ruajë koleksionin artistik të qytetit, me ndihmën e kontributeve të fondacioneve dhe privatëve.
1,5 miliardë dollarë do të jepen përgjatë 10 viteve, për përmirësimin e infrastrukturës së qytetit dhe teknologjinë.

Plani pritet të hasë pengesa në vijim, përfshi apelet gjyqësore, nëse do të miratohet në gjykatën e falimenteve.

Rreth 12 miliardë dollarë, nga borxhi prej 18 miliardë dollarësh i qytetit, thuhet se është i pasiguruar, ndaj dhe taksat apo të ardhura të tjera nuk mund të kontribuojnë për uljen e tij.

Negociatat e vazhdueshme me aksionerët raportohen të rezultojnë në ndryshime të këtij plani, tha Orr për median amerikane.

Detroit është ndeshur me një rënie dramatike në aktivitetin ekonomik dhe popullsinë e tij, pasi prodhuesit e mëdhenj të makinave – dikur burimi më i madh i qytetit për punësim – ka zhvendosur prodhimtarinë drejt vendndodhjeve të tjerë më të lira, në SHBA apo jashtë vendit.

Qyteti ka një popullsi aktuale prej 700 mijë rezidentë, ndryshe nga numri maksimal prej 1,8 milionë banorësh, që ka pasur në vitin 1950.

Top Channel