Takimi mes Obamës dhe Dalai Lama

21/02/2014 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, u takua me udhëheqësin shpirtëror të Tibetit, Dalai Lama, në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht paralajmërimeve të Pekinit, se vizita do të dëmtonte marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Takimi privat zgjati thuajse një orë, megjithëse fituesi i çmimit Nobel të Paqes nuk është parë nga fotografët e Shtepisë së Bardhë të hynte apo të dilte prej saj.

Kjo është hera e tretë, që shefi i Shtëpisë së Bardhë ka takuar Dalai Lamën, të cilin e cilësojnë “si një udhëheqës fetar dhe kulturor, të respektuar në arenën ndërkombëtare”.

Takimet e mëparshme u zhvilluan në Shkurt të vitit 2010 dhe në Korrik të 2011-s.

Përmes një deklarate, Shtëpia e Bardhë shpjegoi se Obama dhe shenjtëria e tij diskutuan marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës.

Çfarë u duk si një lëshim për kinezët, ishte se vizita u zhvillua në “Dhomën e Hartave”, një dhomë e rëndësishme, por jo aq sa Zyra Ovale, apo Studio personale e Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Pekini e cilëson Dalai Lamën si një “ujk të veshur si dele”, që, përmes metodave të dhunshme, kërkon Pavarësinë e Tibetit.

Dalai Lama, që u largua në Indi pas kryengritjes së dështuar në vitin 1959, kërkon autonomi për Tibetin dhe kundërshton me forcë, faktin që është dhuna mjeti për të arritur qëllimin.

Kina mori nën kontroll Tibetin në vitin 1950. Grupet e të drejtave të njeriut thanë se Pekini nëpërkëmb të drejtat fetare, kulturore dhe gjuhësore të tibetianëve dhe përdor metoda brutale kundër tyre.

Shtetet e Bashkuara e njohin Tibetin si pjesë të Kinës dhe nuk e mbështesin pavarësinë e tij, por përkrahin qasjen e Dalai Lamës për më shumë autonomi dhe i kanë bërë thirrje qeverisë kineze të bisedojë me të.

Top Channel