Strategjia mbrojtëse e Koresë së Jugut

21/02/2014 00:00

Koreja e Jugut planifikon ndërtimin e armëve kibernetike në përpjekje për të shkatërruar sistemin bërthamor të Veriut komunist.

Plani i zhvillimit ushtarak u publikua nga Ministria e Mbrojtjes në Seul. Synimi është ndërtimi i një programi kompjuterik i ngjashëm më Stuxnet, i cili pak muaj më parë shkatërroi sistemet kompjuterike të centraleve bërthamore iraniane.

Ministri i Mbrojtjes tha se ushtria në të ardhmen do të ndërmarrë misione të tilla, ndërkohë që ekspertët e teknologjisë paralajmërojnë se dicka e tillë është e rrezikshme pasi programi kompjuterik që përhapet në rrjet si virus, mund të dalë jashtë kontrollit.

E njëjta gjë ndodhi edhe me Stuxnet. Programi përvec impianteve bërthamore iraniane goditi edhe sistemet elektronike të Siemens.

“Në shënjestër mund të jetë një objektiv i caktuar, por programi më pas shpërndahet vetë. Viruse të tilla nuk njohin kufijtë. Shpejt mund të shpërndahet edhe në vetë infrastrukturën koreano-jugore që përdor të njëjtën teknologji dhe më pas edhe më tej”, thotë Alan Woodward, ekspert i inxhinierisë kompjuterike në Universitetin e Surreit.

Plani i mbrojtjes i Koresë së Jugut është pjesë e strategjisë së hartuar në vitin 2010 për dëmtimin dhe asgjësimin e arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut.

Dy vendet praktikisht ndodhen në gjendje lufte me njëra-tjetrën që prej përfundimit të konfliktit që e ndau vendin në dy pjesë.

Top Channel