Shkëmbimi i të burgosurve Shqipëri-Greqi

21/02/2014 00:00

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço zhvilloi një vizitë në Athinë me ftesë të homologut të tij grek Haralambos Athansiu. Në fokus të bisedës midis dy zyrtarëve të lartë ishte bashkëpunimi i vendeve tona në fushën e drejtësisë.

Palët ranë dakort për ngritjen e një komisoni të përbashkët mbi mundësinë e transferimit të të dënuarve shqiptarë dhe grekë nga burgjet greke në ato shqiptare dhe anasjelltas, për vuajtjen e dënimit në atdhe.

Jashtë bisedimeve nuk mbeti edhe reforma në sistemin shqiptar të drejtësisë, lidhur me të cilën ministri Naço informoi homologun e tij grek për hapat e bërë. Nga ana e tij, ministri grek Haralambos Athanasiu shprehu përkrahjen e Athinës zyrtare për reformën në drejtësi.

Athanasiu u shpreh se ministria që ai drejton është e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për reformën në drejtësi dhe përmirësimin e infrastrukturës në sistemin shqiptar të drejtësisë.

“Shkëmbyem mendime për sistemin gjygjësor dhe mbi funksionimin e tij në të dy vendet. Gjithashtu, shkëmbyem mendime për burgjet në dy vendet dhe mundësinë e dërgimit të të dënuarve shqiptarë dhe grekë në vendlindje. Vendosëm të krijojmë një komision të përbashkët që do diskutojë këto çështje. Në vazhdim ramë dakord që të firmosim një marrëveshje për sanksionimin e asaj çfarë vendosëm”, deklaroi Athanasiu.

“Marrëdhëniet tona kanë marrë një dimension tjetër. Dëshirojmë të bëhemi anëtarë të BE-së, ndaj dhe kërkojmë të arrijmë standarte në këtë fushë. Për arritjen e këtyre standarteve duam ndihmën dhe mbështetjen tuaj. Krimi nuk ka kufij, ndaj ne duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin që vendet tona të mos bëhen strehë e kriminelëve të çdo vendi. Duam që shtetasit shqiptarë që janë dënuar në Greqi të vijnë me dëshirën e tyre dhe të kryejnë dënimin në Shqipëri. Kjo vlen edhe për të dënuarit grekë në Shqipëri”, tha ministri Naço nga ana e tij.

Të dyja palët ranë dakord për intensifikimin e marrëdhënieve midis dy Ministrive të Drejtësisë. Në Greqi aktualisht kryejnë dënimin 2.832 shtetas shqiptarë, në totalin prej 12.000 të dënuarish.

Në vazhdim, ministri Naço pati një takim me kryetarin e Gjykatës Supreme të Greqisë, Mihalis Theoharidhis, me të cilin bisedoi lidhur me bashkëpunimin dypalësh në drejtësi.

Top Channel