Situata e rënduar me aksidentet rrugore të ndodhura kohët e fundit ka
sjellë nevojën e një reformë të thellë, në sistemin e transportit
rrugor.

Në një takim me drejtues të drejtorive rajonale të Shërbimit të Transportit, ministri Edmond Haxhinasto tha se kjo reformë do të nisë me forcimin e testimit për marrjen e lejes së drejtimit të automjetit.

“Mendimi dhe koncepti që në Shqipëri mund të blihet patenta duhet të marrë fundit. Nëpërmjet shitjes së patentës shesim sigurinë e qytetarëve. Të kemi regjistrimin biometrik të kandidatit që vëllai të mos konkurrojë për vëllanë tjetër, të bëhet testimi online, testimi praktik do të ndahet në elementët përbërës së tij dhe do të ketë elementë të vecantë të testimit”, tha Haxhinasto.

Ministri kërkoi rigorozitet në dhënien e certifikatave profesionale për drejtuesit e mjeteve të transportit publik dhe monitorim të rreptë të tyre.

“Nuk mundët që një person që sapo ka marrë patentën e klasit më të ulët, të futet në shërbime që kompromentojnë sigurinë e njerëzve, po flas për drejtuesit e autobusëve, të mjeteve të tjera që bëjnë transport publik”, tha Haxhinasto.

Një tjetër pikë e rëndësishme e paketës së sigurisë rrugore është ajo e forcimit të kontrollit teknik të automjeteve, por dhe përmirësimit të shërbimit nga ana tjetër përmes liberalizimit të tregut.

“Testimi duhet të jetë i forografuar, i regjistruar  dhe i pamanipulueshëm nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së informacionit, Por edhe aty do të keni parasysh cilësinë e shërbimit që i ofrohet qytetarit që të mos rrinë për ditë të tëra për të pritur testimin, që të mos shkojnë nga një rreth në një rreth tjetër për të bërë testimin, por të shkojë testimi sa më pranë qytetarit”, tha Haxhinasto.

Top Channel